Dhima: 8 mijë ish-naftëtarë në Fier përfitojnë trajtim financiar suplementar

TIRANË, 30 shtator /ATSH – I. Vata/- Deputetja e PS-së Antoneta Dhima tha në Kuvend se “kemi zgjidhur përfundimisht trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Dhima tha se “gjatë javës së kaluar më zgjedhësit që unë përfaqësoj si dhe me drejtuesit rajonal kemi trajtuar për zgjidhje një sërë problemesh”.

“Një nga problemet e përcjella nga ish-naftëtarët ishte zbatimi i ligjit për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, tha ajo.

Dhima tha se janë parashikuar që këtë vit të përfitojnë 8 mijë naftëtar.

“Sipas informacioneve të marrë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier, janë marrë të gjitha masat për pritjen dhe plotësimin e të gjithë dokumenteve nga të gjithë  ish-naftëtarët  të cilët do të përfitojnë trajtimin suplementar dhe deri më tani janë paraqitur pranë sporteleve të kësaj drejtorie dhe kanë plotësuar dokumentacionin rreth 2600 ish-naftëtarë pensionistë nga 8 mijë që priten të jenë përfitues të këtij viti”, tha ajo.

Dhima shtoi  se gjithashtu se për pjesën tjetër të naftëtarëve të cilët do të plotësojnë kriteret e përfituara nga ky ligj, vijon plotësimi i dokumentacionit nëpërmjet zyrës ADISA Fier.

“Për zbatimin e këtij ligji dhe përfitimin e shpërblimit nga ish-naftëtarët që plotësojnë kriteret e specifikuara në ligj, dua të inkurajoja qeverinë të miratojë sa më shpejt Vendimin e Këshillit të Ministrave për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni. Një problem tjetër që duhet orientuar sa më shpejt për zgjidhje është akordimi i fondit për dëmshpërblimin e shtëpive të dëmtuara pjesërisht nga tronditjet e tokës në Sharrëz, Bashkia Patos”, tha Dhimo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.