Peqin/ Rikonstruktohet shkolla “Demir Godelli”, Balla: 450 nxënës me kushte bashkëkohore

TIRANË, 29 shtator/ATSH/- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Peqinit, Lorenc Tosku inspektuan përfundimin e punimeve të rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Demir Godelli” në Peqin.

Në fjalën e tij Balla tha se falë këtij investimi 450 nxënës të Peqinit e nisën vitin e ri shkollor në kushte tërësisht bashkëkohore.

“Pamë sot punimet e kryera në këtë shkollë të cilat pothuajse janë përmbyllur, mbetet vetëm pjesa e ngrohjes për t’u vënë në punë. Kujtoj që rikonstruksioni përfshin veshjen me sistem kapot, termoizolimin, bazën materiale të re, ambientet sportive etj.

Kemi përmbyllur kështu shkollën e dytë të rëndësishme brenda në qytet. Tashmë kemi një tjetër shkollë e cila është dëmtuar nga tërmeti në fshatin Shezë” deklaroi Balla.

Sipas Ballës, projekte të tjera shumë shpejt do të nisin zbatimin në Bashkinë e Peqinit, siç është edhe projekti për Rilindjen Urbane të këtij qyteti. Gjithashtu Balla vuri në dukje vizionin e qeverisë për zhvillimin e agroturizmit, si një nga drejtimet kryesore të zhvillimit të kësaj zone.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë, Tosku në fjalën e tij falenderoi qeverinë për investimet, ndërsa shtoi se të tjera projekte janë gati dhe presin investimin.

Rikonstruksionit total të ambienteve të shkollës i është shtuar edhe sistemi i ngrohjes, i cili do të vihet në punë së shpejti, rinovimi i të gjithë rrjetit elektrik dhe hidraulik, termoizolimi, ambientet e jashtme ku përfshihet edhe një kënd lojërash për fëmijët e sistemit parashkollor, këndet sportive, si dhe e gjithë infrastruktura lehtësuese për nxënësit me aftësi ndryshe. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.