Opinioni i Venecias për Metën, Spiropali: Komisioni Hetimor do të vazhdojë sipas procedurës

TIRANË, 29 shtator /ATSH – I. Vata/- “Nuk bëj koment por zoologjinë, por për ligjshmërinë dhe mazhoranca është e vendosur në zbatimin e ligjit”, ka deklaruar sot Elisa Spiropali, zëdhënëse e qeverisë dhe ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, ndërsa mori pjesë në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë nga Kolonja.

Elisa Spiropali deklaroi se shumica është e vendosur për shkarkimin e Metës, aq më tepër pas raportit të Komisionit të Venecias.

“Procesi ligjor ka nisur, komisioni i Venecias ishte shumë i qartë për atë që deklaroi deri në detaje është analiza se ku konsistoi në kapërcimet dhe shkeljet e Presidentit të Republikës. Komisioni hetimor do të vazhdojë sipas procedurës duke vlerësuar të gjitha elementët që dhe komisioni i Venecias ka përcaktuar. Ne sigurisht jemi të vendosur që si mazhorancë dhe si parlament të mbrojmë ligjshmërinë në vend. Ligjin nuk mund ta shkelë një qytetar i thjeshtë, nuk mund ta shkelë mbi të gjitha Presidenti i Republikës i cili duhet të jetë garant i ligjit dhe garant i unitetit të popullit, jo e kundërta” tha ajo”, tha ajo.

Në lidhje me deklaratën e  Presidentit një ditë më parë që tha se “unë jam ‘Luani i Venecias’ dhe nuk i trembem Komisionit”, Spiropali u shpreh se “Nuk mund të bëj koment për zoologjinë, por vetëm komente për ligjshmërinë”.

Një ditë më parë, Komisioni i Venecias konstatoi se Ilir Meta shkeli Kushtetutën me vendimin për anulimin e 30 Qershorit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.