Vendimi i Bundestagut për negociatat, Gjermeni: Sfida dhe detyra që duhet t’i bëjmë të gjithë bashkë

TIRANË, 27 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Gjithçka që është diskutuar dhe renditur nga Bundestagu, nuk i shoh si kushte, por si sfida dhe detyra që duhet t’i bëjmë të gjithë bashkë”, – deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni.

E ftuar në një studio televizive, Gjermeni foli mbi vendimin e djeshëm të Bundestagut gjerman në linjën e 9 kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria.

Ajo tha se “nuk e sheh si një pengesë për procesin e integrimit, por si një stimul për të ecur përpara”.

Ajo tha se kriteret e kërkuara nga ligjvënësit gjermanë, duke përmendur edhe debatet e mbrëmshme në Bundestag, nuk janë kushte, por detyra shtëpie, ndërsa theksoi se “situata në të cilën ndodhemi kërkon harmonizimin e qëndrimeve politike, bashkëpunimin dhe intensifikimin për të arritur objektivat e kërkuara”.

“Falënderojmë Bundestagun për vendimin. Nuk janë kushte por një program pune dhe integrimi në Europë është sfida më e madhe e shqiptarëve. Ata kanë bërë një skanim real të gjithë gjendjes politike në vend të cilat edhe vetë ne i diskutojmë dhe komentojmë çdo ditë. Nëse i mendojmë si pika që mbështetet gjithë ecuria në këtë proces, besoj se janë disa kritere që do të na ndihmojnë të orientohemi drejt integrimit europian”, – tha ajo.

Ajo tha se “duhet të ulemi dhe të diskutojmë se çfarë duhet të bëjmë të gjithë për të arritur integrimin që na prek dhe shërben të gjithëve”.

“Duhet ta bëjmë sot ndryshe brezat do të na ndëshkojnë dhe dënojnë. Ato çfarë parlamentarët gjermanë listuan, duhen bërë të realizueshme. Kushtet, Bashkimi Europian i ka si kriter për vendet të cilat duhet të bëhen pjesë e saj. Natyrisht që kushtet janë një sfidë për qeverinë shqiptare por edhe për të gjithë së bashku gjithashtu, edhe opozitës i lindin përgjegjësi po ashtu”, – tha Gjermeni.

Kjo, tha Gjermeni, “është një arsye më tepër për t’u ulur me të dyja opozitat për të realizuar, – sipas saj, – objektivat integruese të vendit”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.