Ulqini: Integrimi kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve në Shqipëri

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini i ftuar në një studio televizive, u shpreh se kushtet e vendosura nga Gjermania për Shqipërinë kërkojnë përgjegjësi të përbashkët të të gjithë politikës.

“Këto kushte kërkojnë angazhimin e të gjithë aktorëve që janë në Shqipëri. Ato nuk penalizojnë askënd me emër të përveçëm. Ngritja e SPAK-ut, ndjekja penale e punonjësve që kujtuan se, pasi u skualifikuan nga Vetting-u, askush nuk do të merrej me ta dhe do ushtronin aktivitetin në shtëpi, janë çështje që do të realizohen, por jo për 45 ditë. Ndiej keqardhje që ky proces mbipartiak, në interesin kombëtar, kontribut i të gjithëve identifikohet si një çështje që lidhet vetëm me mazhorancën dhe qeverinë. Nuk mundet askush të tundë degën e dafinës dhe ta quajë fitore vetëm të një emri, apo pale. Është fitorja e shqiptarëve”, – u shpreh Ulqini.

Ai ka komentuar edhe pjesëmarrjen e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Ndërkombëtarët kanë kërkuar që hapi i parë të jetë Reforma Zgjedhore. Reforma janë rregullat e lojës dhe pa rregulla që të garantojnë zgjedhje të ndershme është e pamundur të ecet para. Pavarësisht nga ajo që ndodhi në takimin e OSBE, unë e mirëkuptoj lidershipin e kësaj force, sepse axhenda e saj dështoi, por ata duhen përshëndetur për atë hap që hodhën sepse thoshin nuk ulemi dhe ja ku jemi sot. U ulën atje, pavarësisht se propozimi i tyre bie ndesh me atë që kërkohet”, – deklaroi deputeti socialist Musa Ulqini. /a.sh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.