TURQI – Erdogan: E pamundur të anulojmë marrëdhënien tregtare me Iranin

TURQI, 27 shtator /ATSH-AFP/- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dëshiron që Turqia të vazhdojë të blejë naftë e gaz natyror iranian, pavarësisht embargos amerikane.

“Është e pamundur për ne që të ndërpresim marrëdhëniet tona me Iranin për sa i përket naftës dhe gazit natyror. Ne do të vazhdojmë të blejmë gaz natyror nga ky vend”, tha Erdogan para gazetarëve, në OKB.

Më parë, Erdogan i kishte kritikuar këto sanksione kundër Iranit, duke i quajtur të padobishme.

Në vitin 2018, presidenti amerikan, Donald Trump i riktheu edhe më të ashpra sanksionet kundër Iranit, të cilat qenë hequr në kuadër të Paktit për Armët Bërthamore Iraniane, në vitin 2015./ /ervo/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.