Tatimet përfundojnë ciklin e trajnimeve mbi tatimin në burim dhe atë mbi të ardhurat

TIRANË, 27 shtator /ATSH/- Punonjësit e Administratës Tatimore përmbyllën përgjatë muajit shtator, trajnimet mbi “Tatimi mbi të ardhurat personale dhe Tatimi në burim i të ardhurave”, ndërsa një tjetër cikël do të vijojë, në bashkëpunim me Qendrën e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore (QTAD).

Tatimet bëjnë të ditur se, këto trajnime përforcojnë njohuritë profesionale të punonjësve tanë, në interpretimin dhe zbatimin e procedurave tatimore dhe ligjit fiskal, ndërsa kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj tatimpaguesve.

Inspektorë të kontrollit tatimor dhe të detyrimeve të prapambetura, nga të gjitha Drejtoritë Rajonale, kanë ndjekur këto trajnime, duke mbuluar në nivel teorik të gjithë gamën e specifikimeve teknike dhe me shembuj praktikë të adresimit të problematikave që hasen në punën e tyre të përditshme.

Trajnimet do të vijojnë me të tjera tema, sipas kalendarit të përcaktuar.

e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.