Shëngjin-Velipojë, aksi i ri që pritet t’i japë zhvillim të gjithë rajonit

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ – Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të zbatojë për BERZH ndërtimin dhe rindërtimin e një sërë rrugësh në Shqipëri.

Midis tyre është edhe ndërtimi i rrugës Shëngjin-Velipojë. Ky segment rrugor do të jetë një aks i ri që do të lidhë dy qendra të rëndësishme të turizmit dhe pritet të japë një zhvillim të ri për të gjithë rajonin, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të turizmit.

Ky projekt është pjesë e programit Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale i cili do të financohet paralelisht nga një kredi e Bankës Botërore dhe synon të përmirësojë infrastrukturën rrugore dhe të gjenerojë përfitime ekonomike si rezultat i ndërlidhjeve rrugore, veçanërisht në bujqësi dhe sektorët e turizmit, të cilët janë shtysa të rritjes ekonomike dhe punësimit në Shqipëri.

Gjurma e rrugës së propozuar është 12,6 km e gjatë dhe mbulon afërsisht 12,5 ha. Përafërsisht 10,82 km të rrugës së propozuar do të përshkojnë Peizazhin e Mbrojtur nga Lumi Buna, i cili është nën administrimin e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Shkodër dhe është përcaktuar si moçal i Ramsar-it, ‘Zonë e Rëndësishme për Zogjtë’ dhe një kandidat për “Zona Smerald”. Për këtë arsye, konsulenca RSK Group me ndihmën e FSHZH-së, kanë përgatitur një set dokumentesh shtesë për vlerësimet dhe planet e veprimit për masat e shmangies dhe zbutjes së ndikimit mjedisor dhe biodiversitetit për të përmbushur Kërkesat e Performancës së BERZH-it. /a.sh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.