“Mjekë për Shqipërinë”, shpallen procedurat e pranimit për mjekë të përgjithshëm dhe specialistë

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes ka shpallur procedurat e pranimit dhe emërimit të mjekëve në institucionet shëndetësore publike në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet platformës elektronike “Mjekë për Shqipërinë”.

Në faqen online të portalit “Mjekë për Shqipërinë” është shpallur konkurrimi për pozicionet vakante mjek familje/ të përgjithshëm dhe mjek specialistë në qendrat shëndetësore, mjek specialistë në spitale. Kjo është hera e dytë që jepet portali “Mjekë për Shqipërinë”.

Por, si procedohet? 

Komisioni i Vlerësimit harton listën me pikët e dosjes për çdo kandidat dhe i njofton ata për rezultatin nëpërmjet adresës së tyre me email. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit për rezultatin brenda dy ditëve nga dita e njoftimit të tyre. Ankesa bëhet përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë” në adresën e kontaktit në këtë faqe.

Komisioni i Vlerësimit njofton kandidatët për intervistën me gojë dhe brenda dy ditëve pas intervistës i njofton ata për rezultatin përfundimtar.

Pas përfundimit të afateve të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, Komisioni i Vlerësimit shpall renditjen e kandidatëve në portalin “Mjekë për Shqipërinë” dhe dërgon emrat e fituesve pranë Drejtorisë Rajonale të OSHKSH ose institucioneve qendrore shëndetësore.”

Ministria bën me dije se afati i fundit për aplikim nëpërmjet platformës on-line “Mjekë për Shqipërinë” është data 5 tetor 2019.

Kandidatët mund të klikojnë për udhëzimin përkatës në linkun e mëposhtëm: https://mjeke.shendetesia.gov.al/shpallje-per-mjek-ne-institucionet-shendetesore-publike-shtator-2019?vendi=1635
z.tosku/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.