KINË – Qeveria kineze mohon akuzat për spiunazh

PEKIN, 27 shtator /ATSH-AFP/- Qeveria kineze hodhi poshtë dyshimin sipas të cilit hakerat kinezë mund të ishin në origjinë të veprimtarisë së spiunazhit ndaj nënkontraktuesve të “Airbus”-it.

“Kohët e fundit, shumë artikuj të medieve kanë raportuar për sulme kibernetike. Në këta artikuj, pa patur prova, disa janë përpjekur t’ia hedhin fajin Kinës, për ta njollosur emrin e saj. Kjo s’është as profesionale, as e përgjegjshme. Mund t’ju siguroj se Kina e mbron me vendosmëri sigurinë e rrjetit dhe kundërshton fuqimisht çdo formë sulmi kibernetik”, deklaroi para shtypit zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme.

Muajt e fundit, “Airbus” ka qenë shënjestra e sulmeve të shumta kibernetike, që shumë burime informative ia kanë atribuar një grupi të lidhur me autoritetet kineze, i identifikuar me emrin e koduar APT10./ /ervo/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.