Furnizim 24 orë me ujë për banorët e Roskovecit

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Pas investimit në rrjetin e ujësjellësit, 7187 banorë të qytetit të Roskovecit dhe lagjes Jagodinë do të kenë furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm.

Banorët e Roskovecit sot furnizohen mesatarisht me 3 orë ujë në ditë. Këshilli Teknik i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve shqyrtoi dhe miratoi projektin e ri për ujësjellësin e Roskovecit që daton nga viti 1970.

Modernizimi i infrastrukturës së ujësjellësit do të përmbajë një sërë komponentësh, nga ndërtimi i 2 puseve të reja shpimi, në 2 stacione pompimi, rikonstruksioni i linjave të dërgimit dhe rrjeti i ri shpërndarës për Roskovecin e Jagodinën.

Investimet në sektor do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët dhe do të nxisin rritjen ekonomike.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.