FOTO/ Qytetarë dhe nxënës i bashkohen nismës për pastrimin e Gramshit

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Në bashkinë e Gramshit ka nisur aksioni i pastrimit të qytetit, për një mjedis të pastër dhe për sensibilizimin e qytetarëve që respektojnë rregullat mjedisore.

Nismës së aksionit të pastrimit nga kryetari i bashkisë, Klodian Taçe iu bashkuan dhjetëra nxënës, punonjës të institucioneve, qytetarë dhe shumë banorë të zonave përreth.

“I lumtur që thirrjes tonë për pastrimin e ambientit iu bashkuan dhjetëra nxënës, punonjës të institucioneve, qytetarë dhe shumë banorë të zonave përreth. Kjo nismë nuk ishte vetëm një mesazh për mbajtjen pastër të natyrës por edhe një thirrje drejtuar të gjithë atyre që nuk respektojnë rregullat mjedisore”, shprehet Taçe.

Kryetari Taçe gjithashtu i bën thirrje qytetarëve që ta mbajnë pastër mjedisin dhe mos ja humbin ngjyrat natyrës pasi është një pasuri që do i trashëgohet dhe brezave të ri.

Taçe shprehet se, “mos ja humbisni ngjyrat natyrës sepse ngjyrat janë buzëqeshja që natyra na ofron çdo ditë. Ne sot treguam vullnetin dhe dëshirën për të qenë së bashku në sfidën ndaj dëmit që i shkaktohet natyrës”.

Gjithashtu Taçe falenderoi të gjithë ata që ju bashkuan kësaj nisme dhe shpreson që dhe ata që nuk morën pjesë ti bashkohen grupeve vullnetare në nisma të tjera në mbrojtje të mjedisit. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.