Cakaj me fëmijët shqiptarë në New York, shpërndan abetare

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Gjatë vizitës në New York, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj takoi edhe nxënësit e shkollës “Children of the Eagle”, të cilëve u dhuroi abetare dhe libra në gjuhën shqipe.

“Përkundër faktit se vijojnë mësimet e rregullta në gjuhën angleze, ata, po ashtu, ndjekin orë të posaçme për të mësuar historinë e Shqipërisë dhe ruajtur gjuhën shqipe në përgjithësi”, tha Cakaj.

Ndjenja e fortë e përkatësisë kombëtare, sipas Cakaj, “nuk është tjetërsuar as me kohën, as për shkak të rrethanave”.

“Sikur prindërit e tyre, ata janë në rrugë për të vendosur shembullin më të vlefshëm për ne të gjithë: mund të jesh, në të njëjtën kohë, edhe personalitet me tipare të dalluara ndërkombëtare, edhe njeri me karakter të shquar kombëtar. Pafundësisht i lumtur për edukatën e tyre të rrallë të lartësimit të shpirtit shqiptar në mes të New York-ut”, tha Cakaj. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.