Veliaj: Rindërtim të gjitha banesave të dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar sot se të gjitha banesat e dëmtuara tërësisht nga tërmeti që tronditi vendin në fundjavë do të rindërtohen, ndërsa ato që kanë pësuar dëme më të lehta do të rimbursohen. Duke folur në mbledhjen e Këshillit Konsultativ Bashki-Qeveri, Veliaj nënvizoi se janë bërë gati të gjithë dosjet me inventarin e banesave të dëmtuara dhe menjëherë ka nisur edhe puna për rindërtimin e atyre më të dëmtuarave.

“Në bashkinë e Tiranës ne kemi çuar mbrëmë në mes të natës, afati i lënë nga Kryeministri, të gjithë inventarin e banesave të dëmtuara. Jam në dijeni që edhe bashkitë kryesore që janë prekur, nga Durrësi, Elbasani, Kavaja disa Bashki të tjera më të vogla kanë proceduar dhe kanë bërë edhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak për të akorduar fondet e emergjencës dhe besoj që në kohë rekord do të disbursojmë aty ku dëmet janë minimale dhe siç e keni vënë re do të rindërtojmë nga fillimi aty ku dëmet kanë qenë më të qenësishme”, tha Veliaj.

Veliaj u shpreh i keqardhur që në një kohë kur vendi po përballej me pasojat e tërmetit, disa politikanë treguan se interesin e vetëm kanë pushtetin.

“Kur po shikoja lajmet dje në darkë dhe po shikoja bisedën te një hotel tjetër, që nuk merren me halle konkrete, por parti që lozin, ika unë nga tavolina, erdha unë nga tavolina. Shqipëria kalon tërmetin dhe ata diskutojnë, ku është pushteti im, ku është mandati im, ku është posti im, ku është qeveria ime, ku është Ministria ime dhe ti thua, ne jemi 2 popullsi të ndryshme se s’ka mundësi, një popullsi të jetë duke shkuar në terren, ose duke u u mbledhur të marrë vendime, si, akti normativ që do kalojë kryeministri dhe Qeveria për lejet e ndërtimit të atyre që preken, mbledhjet e Këshillit Bashkiak me urgjencë për t’iu dhënë paratë njerëzve që të ndërtojnë dhe ke një pjesë tjetër të Shqipërisë që çohet, ulet nga tavolina, “ku është pushteti im? Ku është mandati im? Ku janë ministritë e mia?” – deklaroi Veliaj.

Vetëm në Tiranë numërohen 1200 banesa të dëmtuara.

“Shumica janë të pjesshme, kryesisht banesa në zonat rurale, të vjetra, me shtesa. Për ata që me vite të tëra na janë bërë gangrenë ‘kulla, kulla, kulla’, dilni në dritare këtu, shihni që Plazzës s’i ka rënë asnjë pllakë, Arenës Kombëtare nuk i ka rënë asnjë panel. Të gjithë ndërtimet kryesisht pa leje, të improvizuara, ose shtëpi të vjetra të kohës së komunizmit të bëra me punë vullnetare, me parafabrikate dhe shto, e shto, e shto kafaze, ballkone, çaje ballkonin, bëje dritare, çaje dritaren bëje derë, herët ose vonë do të duhet të përballemi me këtë papërgjegjshmëri”, tha Veliaj. /a.sh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.