Ujë 24 orë për banorët e Sarandës, përfundon projekti

TIRANË, 26 shtator /ATSH/- Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve bën me dije se ka përfunduar projekti i furnizimit me ujë të pijshëm në 24 orë për rreth 26.860 banorë të qytetit të Sarandës si dhe optimizimi i infrastrukturës së ujërave të ndotura.

UK Sarandë zhvilloi sot një tryezë diskutimi me aktorë të rëndësishëm qendrorë, lokalë dhe ndërkombëtarë që kontribuojnë në sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve në Shqipëri, në kuadër të investimeve që po parashikohen në 11 qytete të Shqipërisë, programi Infrastruktura Bashkiake V, mbështetur nga Qeveria gjermane përmes KfW, Qeveria zvicerane përmes SECO dhe EU.

Mbulimi 24 orë me ujë të pijshëm dhe infrastrukturë moderne ujësjellës kanalizimesh për zonat bregdetare është objektiv afatmesëm strategjik i AKUM dhe Qeverisë shqiptare, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe nxitjes së rritjes ekonomike në vend. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.