Rijetësimi i qendrave urbane e turistike/ 3 miliardë lekë financim në tre vitet e ardhshme

TIRANË, 26 shtator /ATSH/- 3 miliardë lekë do të financojë qeveria shqiptare në tre vitet e ardhshme për programin “100 fshatrat plus dhe Rilindja Urbane”.

Sipas programit buxhetor 2020-2022, qeveria do të injektojë financim në rritje për projektin e integruar të zhvillimit të qendrave të banuara, zonave me interes turistik, apo i zonave rurale në të cilat do të synohet përmirësimi i infrastrukturës, vlerësimi i traditave dhe trashëgimisë kulturore, rritja e nivelit të shërbimeve publike, përmirësimi estetik i qendrave të banuara që i jep mundësi zonave të caktuara rurale të kenë një trend pozitiv të zhvillimit ekonomik, duke krijuar njëherazi edhe premisat për zhvillimin e turizmit apo agro-turizmit.

“Për këtë qëllim do të investohen përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në programin 100 fshatrat, për periudhën 2020-2022 rreth 3 miliardë lekë”, thekson dokumenti i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Shifra është shumë e lartë dukë parë që në sektorin e bujqësisë, po për të njëjtën periudhë, përmes programit IPARD parashikohet të injektohen fonde të tjera. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.