Nënkryetarja e grupit parlamentar të CDU/CSU: Opozita të kthehet në Parlament, Shqipëria e mirëpritur në BE

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Nënkryetarja e grupit Parlamentar, CDU/CSU, Katja Leikert, thotë, se Bundestagu do të vazhdojë ta shoqërojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, ajo ka thënë se Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe CDU/CSU dëshiron ta shoqërojë në rrugën e demokratizimit dhe të BE-së.

“Jemi konsultuar shumë gjatë në Bundestagun gjerman. Për Maqedoninë e Veriut, çështja është relativisht e qartë. Maqedonia e Veriut është zhvilluar shumë pozitivisht, sidomos sa  i përket zgjidhjes së çështjes së mosmarrëveshjes për emrin. Me Shqipërinë, padyshim, u morëm shumë të tepër. Ne e dimë se situata politike e brendshme nuk është demokratike në kuptimin tonë. Opozita ka braktisur parlamentin, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. E dimë se ka ende probleme me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Të gjitha këto janë, natyrisht, gjëra që janë problematike dhe të cilat ne duhet t’i shikojmë nga afër. Por ne thamë po, sepse donim që t’u jepnim shqiptarëve sinjalin nga Bashkimi Evropian se janë të mirëpritur në Evropë dhe se ky është drejtimi i tyre. Shumë shqiptarë po largohen nga vendi, sepse nuk shohin aty perspektivë. Kjo nuk mund të jetë e ardhmja e një vendi. Është një vend shumë i bukur dhe ne duam ta shoqërojmë në rrugën e demokratizimit dhe të BE-së”, – ka thënë ajo.

Nënkryetarja e grupit Parlamentar CDU/CSU i ka bërë apel partive politike që kanë lënë mandatet, të rikthehen në parlament.

“Unë u bëj thirrje të gjitha forcave demokratike në Shqipëri, si atyre të qeverisë, ashtu edhe të opozitës që të marrin pjesë në proceset demokratike dhe këtë ta bëjë jo jashtë parlamentit. Kjo nuk mund të jetë mënyra e duhur. Në këtë drejtim, apeli në të vërtetë u hap rrugë të gjitha forcave politike në Shqipëri për të hapur negociatat e pranimit”, – ka theksuar ajo.

Më tej, Leikert ka thënë se janë 35 kapituj që duhen negociuar pak nga pak. “Janë 35 kapituj që duhen negociuar pak nga pak. Dhe pas çdo kapitulli, Këshilli i Bashkimit Europian do të ketë mundësi të pajtohet me hapjen ose mbylljen e kapitujve. Dhe ne, në Bundestag, do ta shoqërojmë këtë proces dhe do të jemi shumë aktiv”, – është shprehur ajo.

“Ne duhet të shohim se nga vijnë vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria. Në vitin 1999 përfundoi atje lufta e fundit, Lufta e Kosovës. Këto vende janë ende në fazën e transformimit. Dhe ato janë thuajse në mes të Europës. Por nuk është vetëm gjeografia që i afron me ne, është edhe kultura. Është në interesin tonë që të sigurojmë atje stabilitet dhe që këto vende me të vërtetë të kenë një perspektivë të mirë. Unë e shoh këtë perspektivë të realizuar më së miri kur ato të bëhen anëtare të Bashkimit Europian në planin afatgjatë. Dhe, nëse presim edhe më gjatë, atëherë nuk dihet nëse do të kemi përmirësime në disa vende”, – ka përfunduar intervistën për “Deutsche Welle”. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.