Gjirokastër, prefekti Aliaj inspekton shkollën e Picarit

TIRANË, 26 shtator /ATSH/-  Në kuadër të marrjes se masave për mbarëvajtjen e procesit mësimor, prefekti i Qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj ka vizituar ditën e sotme shkollën 9-vjeçare në fshatin Picar, njësia administrative Picar, bashkia Gjirokastër.

Në një bashkëbisedim me stafin pedagogjik të kësaj shkolle, u evidentuan disa problematika kryesore si infrastruktura e dëmtuar dhe frekuentimi i ulët nga nxënësit e zonës. Problem për këtë shkollë mbetet mungesa e investimeve për rikonstruksionin e kësaj godine. Kati i dytë i shkollës është i braktisur për shkak të lagështisë, ndërsa procesi mësimor aktualisht zhvillohet në vetëm dy klasa të bashkuara, pasi numri i nxënësve zvogëlohet vit pas viti, duke qenë se shumë prindër zgjedhin t’i dërgojnë fëmijët në shkollat e qytetit.

Gjithashtu, Prefekti i Qarkut paraqiti propozimin e tij për zhvendosjen e këtyre dy klasave në një ambient më të përshtatshëm për t’iu siguruar kështu nxënësve kushtet e duhura për zhvillimin e një procesi mësimor të rregullt.

Me qëllim sigurimin e disa prej mjeteve mësimore të nevojshme për këtë shkollë, Prefekti i Qarkut iu drejtoi apel gjithë bizneseve të qarkut Gjirokastër të kontribuojnë brenda mundësive të tyre ekonomike. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.