Foto/ Ndihma për banorët e prekur nga tërmeti në Elbasan

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Ekipe të posaçme me drejtues të pushtetit vendor, ekspertë dhe deputetë socialistë janë angazhuar maksimalisht në terren për të qëndruar pranë familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

Përveç evidentimit të dëmeve nga tërmetet e së shtunën, ata janë angazhuar edhe për të siguruar ndihmat e nevojshme për kapërcimin e kësaj situate.

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi së bashku me drejtoreshën e Shërbimit Social Shtetëror në qytetin e Elbasanit, Marsida Haxhiu, prefekten e komanduar, Eva Bica vizituan familjet e dëmtuara nga tërmeti në këtë qytet, ku shpërndanë ndihmat e dhuruara nga Ambasada e Shtetit të Kuvajtit.

“Vizituam disa familje të prekura nga lëkundjet e tërmetit në qytetin e Elbasanit, të cilave u dorëzuam edhe ndihmat e dhuruara sot nga Ambasada e Shtetit të Kuvajtit. Solidarë, e gjithë vëmendja për ju”, tha Kushi.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.