Cakaj takim me homologun e tij indian, i kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ – Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar.

Gjatë këtij takimi, Cakaj ka kërkuar nga homologu i tij indian domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe nevojën për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Mbështetja e konsolidimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës është elementi qendror i politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon”, tha Cakaj.

Por, gjatë këtij takimi, një fokus i rëndësishëm është vendosur dhe tek bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Në takim, ndër të tjera, ramë dakord edhe për përmbylljen përfundimtare të një varg marrëveshjeve në fushën e sigurimeve shoqërore, promovimit dhe mbrojtjes së investimeve dhe transportit detar. Ky kuadër i marrëveshjeve do të ketë një rol domethënës në konsolidimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Indisë”, shprehet Cakaj.

Po ashtu, India konfirmon mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.

/a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.