Cakaj-Palmer: Nevojë për dialog gjithëpërfshirës për Reformën Elektorale

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi sot një takim me Mathew Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

Cakaj e konsideroi takimin të shkëlqyer, ndërsa u shpreh se në takim u diskutua mbi përparësitë e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria.

“Takim i shkëlqyer me Përfaqësuesin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera, përparësitë e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria dhe ​​ramë dakord të punojmë ngushtësisht në sjelljen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”, tha Cakaj, duke informuar mbi këtë takim.

“Lidhur me situatën e brendshme në Shqipëri bashkërisht nënvizuam nevojën për të pasur një dialog gjithëpërfshirës për reformën elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODHIR. Kjo është thelbësore për të përmirësuar edhe më tutje cilësinë e sistemit elektoral dhe, rrjedhimisht, demokracinë në Shqipëri në përgjithësi”, theksoi Cakaj.

“Po ashtu, një vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve rajonale. Pas Marrëveshjes së Prespës, çështja themelore në rajon është arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Po ashtu, ShBA-të konsiderojnë se procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është një instrument kryesor i stabilizimit, demokratizimit dhe zhvillimit të rajonit në përgjithësi”, vuri në dukje ai.

Në fund, sipas tij, “gjithashtu biseduam edhe për bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së i cili çdo ditë e më tepër po merr trajtën e veprimeve konkrete”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë referenca e patjetërsueshme politike e diplomatike e Shqipërisë”, përfundoi Cakaj.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.