AFGANISTAN – Talebanët zotohen të prishin zgjedhjet presidenciale

KABUL, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Talebanët afganë urdhëruan sot luftëtarët e tyre të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për prishjen e zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen në fund të kësaj jave.

Grupi militant deklaroi se do të sulmojë forcat e sigurisë në qendrat e votimit dhe do të bllokojë rrugët për të ndërprerë votimin.

Gjithashtu shtoi se për sigurinë e tyre, banorët duhej të qëndronin në shtëpi.

Talebanët kanë hedhur poshtë zgjedhjet presidenciale si një komplot për zbatimin e qëllimeve të pushtuesve të vendit.

Kërcënimi vjen pasi miliona qytetarëve afganë iu bë thirrje të votonin të shtunën.

Në fillim të kësaj jave, Misioni i Ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) u kërkoi të gjitha partive të krijonin kushte që qytetarët afganë të votojnë në mjedis të sigurt.

Kreu i misionit të OKB në Afganistan, Tadamichi Yamamoto, u bëri thirrje talebanëve të ndërpresin çdo aktivitet që do të pengojë zgjedhjet.

Sipas UNAMA, dita e parë e zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit të kaluar ishte dita me numrin më të madh të viktimave civile.

Zgjedhjet presidenciale po mbahen një muaj pasi bisedimet midis SHBA-së dhe talebanëve u anulluan nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Që nga korriku i vitit 2018, SHBA dhe talebanët kanë qënë duke diskutuar një zgjidhje politike për një konflikt që filloi menjëherë pas sulmeve terroriste në SHBA më 11 shtator 2001. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.