​Shënohet “Dita Europiane pa Viktima në Rrugë”

PRISHTINË, 26 shtator /ATSH/ Policia e Kosovës ka mbajtur sot konferencën me temën “Ngritja e sigurisë në trafik dhe shënimi i Ditës Europiane pa Viktima në Rrugë”, në kuadër të projektit “EDWARD”. Konferencës i parapriu një debat me nxënësit e shkollës “28 Nëntori” në Prishtinë, i cili kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për sjelljen në trafik.

Drejtori i Divizionit për komunikacion rrugor nga Policia e Kosovës, Jeton Rexhepi, duke folur rreth rëndësisë së ngritjes së nivelit të sigurisë në komunikacion, tha se sivjet janë 15 viktima më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ai tha se përmes këtyre aktiviteteve synohet ngritja e sigurisë në komunikacion, teksa bëri të ditur se pjesë e këtij aktiviteti janë 159 shkolla me të cilat Policia e Kosovës bashkëpunon në vazhdimësi. Pjesë e këtij takimi ishte edhe përfaqësuesi nga Këshilli për Siguri Rrugore nga Ministria e Infrastrukturës, Fejzulla Mustafa i cili tha se qëllimi i projekti është ulja e numrit të aksidenteve me fatalitet.

Në emër të nxënësve foli Ajet Brajshori, drejtori i shkollës “28 Nëntori”, i cili falenderoi Policinë e Kosovës për punën e vazhdueshme, duke shtuar se rëndësia e projektit është që aksidentet të jenë zero.

Dita Europiane pa Viktima në Rrugë është lançuar për herë të parë nga TISPOL – Rrjeti Europian i Policisë Rrugore.

Synimi kryesor i kësaj dite është që asnjë person nuk duhet të vdesë në rrugët e Europës më datë 26 shtator. Besohet se “Projekti EDWARD” mund të japë një kontribut të rëndësishëm në zvogëlimin e mëtejshëm të vdekjeve në rrugë./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.