Reforma Zgjedhore, Rama: Na duhet të përshpejtojmë procesin, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë të qarta, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë dhe ne do të ecim në to”. Duke folur për Reformën Zgjedhore në një intervistë nga Nju-Jorku, kryeministri theksoi se “qëndrimi është ai që dihet, por unë nuk dua të bëj polemika dhe nuk dua t’u marrë kohë shqiptarëve me avazin e “kush e ka fajin”.

“Unë dua tani thjesht të them se ne tanimë na duhet të përshpejtojmë procesin e reformës, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Të gjithë jemi të mirëpritur për më shumë, por rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë të qarta, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë dhe ne do të ecim në to” – theksoi Kryeministri.

“Me gjithë respektin për të gjitha idetë, për të gjitha dëshirat e të gjitha ëndrrat e gjithsekujt, ne procesin do të përshpejtojmë dhe pse jo ta ndajmë në dy pjesë. Pjesa e parë është përmbushja e këtij kushti dhe garantimi i një ligji zgjedhor që ka brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe pjesa e dytë t’i japim kohë vetes që të diskutojmë për të gjitha aspektet e tjera. Do të dëgjojmë me respekt të gjitha kontributet, të gjitha idetë”, – tha Kryeministri.

“Ne jemi partia e shumicës, kemi dhe ne idetë tona, kemi dhe ne kontribute për të dhënë përtej këtyre, por në raport me Bashkimin Europian duhen këto dhe në raport me zgjedhjet e ardhshme këto janë të domosdoshme”, – u shpreh Rama.

Sakaq, ai foli edhe për mundësinë e votës për shqiptarët jashtë Shqipërisë. “Edhe ne kemi një ide që do ta çojmë deri në fund që është vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe duam që ata të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, por kjo i mbetet pjesës së dytë të procesit, përpara sigurisht zgjedhjeve të ardhshme që janë në 2021. Çka tani për ne është prioritet i prioriteteve është kalimi i të gjitha ndryshimeve në ligjin zgjedhor që kanë brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR. Për këtë do të duhet harmonizim patjetër edhe me OSBE/ODHIR dhe me partnerët, ndërkohë që strukturë ndërkombëtare, ndërmjetës ndërkombëtarë dhe përkthyes në gjuhën e huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët, unë për veten time nuk kam për të pranuar asnjëherë”, – nënvizoi Kryeministri.

I pyetur për qëndrimin e opozitës jashtëparlamnetare për reformën zgjedhore, kryeministri thotë se: “Për pjesën e parë nuk ka nevojë për opozitën jashtëparlamentare dhe nuk besoj se opozita jashtëparlamentare është kundër, sepse ato janë rekomandime të shkruara e bardha në të zezë dhe nuk kemi se çfarë të diskutojmë, siç mund të diskutojmë për të tjera aspekte që lidhen me sistemin, që lidhen me të tjera ide dhe sugjerime”.

Sipas Ramës: “Shqipëria duhet të realizojë sa më shpejt plotësimin e vendeve që janë ende të zbrazura si pasojë e pastrimit që i është bërë deri tani sistemit të drejtësisë në organet që janë të përcaktuara nga Kushtetua si organe bazë të sistemit dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Këto të dyja janë të domosdoshme. Për pjesën e parë është një përgjegjësi edhe e ndërkombëtareve që monitorojnë Reformën në Drejtësi, pasi vettingun nuk e bën qeveria, ritmin e vettingut nuk e përcakton qeveria, kush del jashtë sistemit nuk është vullneti i qeverisë, por është procesi i monitoruar nga ndërkombëtarët. Ndërkohë që për pjesën tjetër na duhet Parlamenti dhe kaq”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.