Policia e Tiranës, ndihma në qendrën sociale “Të Qëndrojmë së Bashku”

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Policia e Tiranës ka dorëzuar në qendrën sociale “Të Qëndrojmë së Bashku”, në Kombinat, Tiranë një pjesë të ndihmave të grumbulluara nga kontributi i punonjësve të saj, ndërsa pjesa tjetër do shpërndahet në bashkinë Vorë, në familjet e tjera të prekura nga tërmeti. Në këtë qendër u strehuan 45 familje nga fshatrat e Tiranës, të cilat u prekën nga tërmeti.

Drejtori i Policisë Tiranë, Rebani Jaupi, së bashku me prefekten e Qarkut, Suzana Jahollari i kanë dorëzuar ndihmat drejtoreshës së qendrës dhe kanë zhvilluar takim me familjarët e strehuar në këtë qendër.

Jahollari dhe Jaupi kanë falënderuar efektivët e DVP Tiranë për ndjenjën solidare dhe kanë theksuar edhe një herë që në situata emergjente duhet të jemi të tërë bashkë.

Drejtoresha e Qendrës Sociale, Mimoza Agalliu, ka theksuar se në këto ditë të vështira i gjithë shteti i është gjendur pranë dhe ka falënderuar Policinë e Tiranës për kontributin e dhënë, pasi këto ndihma do të shkojnë edhe për familjet në nevojë që trajton kjo qendër. /a.g/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.