“Po-ja” e parlamentit gjerman për çeljen e negociatave për Shqipërinë, e qartë si drita e diellit

TIRANË, 25 shtator/ATSH-Maela Marini/ “‘Po-ja’ e thënë nga parlamenti gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian për Shqipërinë është e qartë si drita e diellit”, – deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një lidhje telefonike me një studio televizive, Balla komentoi dokumentin e miratuar dje nga grupi më i madh parlamentar në Gjermani, ai i deputetëve të koalicionit qeverisës CDU/CSU.

Balla tha se, “socialdemokratët ishin unanimë në mbështetje të fillimit të bisedimeve ndërsa, vetëm një numër i vogël deputetësh i CDU/CSU-së ishte kundër fillimit të negociatave”.

Ai u shpreh shpresëplotë që Të Gjelbrit, të cilët janë në opozitë dhe të majtët do ta mbështesin këtë vendim, të cilin nuk ngurroj ta quaj historik, po të kemi parasysh rëndësinë që ka Gjermania si vendi me ekonominë më të madhe dhe vendimmarrjen më të rëndësishme në kuadër të BE.

“Qeveria para se të shkojë në Këshillin Europian për vendimmarrje të fillimit të bisedimeve kërkon që Qeveria Federale të marrë dakordësinë e Bundestagut. Kancelarja Merkel në Këshillin Europian ka dakordësinë edhe të Bundestagut për t’u shprehur për fillimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim”, – tha Balla.

Balla theksoi progresin e Shqipërisë me Reformën në Drejtësi, ndërsa theksoi se puna për implementimin e reformës në drejtësi, ngritja sa më shpejt e institucioneve të reja të drejtësisë janë një proces i vijueshëm.

Në dokument, tha ai, “theksohet se Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer”.

Sa i takon thirrjes për dialog politik, Balla tha se “kjo nevojë është shprehur qartë nga kryeministri Rama”. “Në mënyrë të vazhdueshme ne kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit jo vetëm me opozitën parlamentare, por edhe me të vetëpërjashtuarit. Ne kemi qenë në vijimësi të hapur për dialog pa kushte. Ne nuk pranojmë asnjëherë që të negociohet zbatimi i Reformës në Drejtësi”, – tha Balla.

“Po-ja” e thënë nga parlamenti gjerman, sipas Ballës, “është si drita e diellit dhe i vetmi njeri që nuk e sheh këtë është Basha”.

Për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Balla tha se “ato do të zhvillohen me një Kod të ri Zgjedhor në qershor 2021”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.