Po-ja e Gjermanisë për negociatat, Rama: Do na duhet të përmbushim shumë kushte në çdo aspekt, të gjitha në të mirën tonë

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Pas PO-së së marrë nga shumica e Bungestagut për çeljen e negociatave BE- Shqipëri, kryeministri Rama shprehet se “kemi çelur një rrugë që do na duhet të përmbushim jo dy, as nëntë, por qindra në mos mijëra kushte në çdo sektor për çdo aspekt dhe të gjitha këto janë në të mirën tonë”.

Në një intervistë dhënë nga Nju–Jorku, kryeministri i pyetur për këtë qëndrim të Gjermanisë, thotë se ky është vetëm fillimi i një procesi të vështirë. “Së pari, është qeveria gjermane që ka marrë nga shumica në Bundestag një dritë jeshile për të shkuar në Këshillin Europian me një “PO”  për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

“Çelja e negociatave do të thotë fillimi i një procesi aspak të thjeshtë dhe të gjatë përmbushje kushtesh. Që do të thotë se gjëja më minimale që do të mësohemi tash e tutje është se duke çelur negociatat, kemi çelur një rrugë që do na duhet të përmbushim jo dy, as nëntë, por qindra në mos mijëra kushte në çdo sektor për çdo aspekt dhe të gjitha këto janë në të mirën tonë. Kushtet e përcaktuara në dokumentin e partive të shumicës janë kushte, të cilat i bëjnë mirë vendit dhe të cilat i duhen vendit. Nuk është, le të themi, në interesin e drejtpërdrejtë të CDU-s që Shqipëria të ketë një proces ku të përmbushë ato kushte, është në të mirën e vendit tonë. Kjo është e mira e negociatave”, tha ai.

“Negociatat”, – sipas kreut të qeverisë, – “nuk janë për ta marrë Shqipërinë dhe për ta çuar fizikisht diku tjetër, por për ta bërë Shqipërinë një vend europian, ku njerëzit si pjesë e familjes europiane të jetojnë në të njëjtat kushte dhe të kenë të njëjtat kushte”.

Rama është mirënjohës ndaj kancelares Merkel për kontributin e saj për këtë PO nga Bundestagu dhe thotë se këtë Shqipëria e meriton.

“I jam shumë mirënjohës kancelares, e cila ka qenë pa diskutim forca kryesore në thyerjen e asaj barriere që kishim në Bundestag. I jam shumë mirënjohës edhe atyre në CDU, që nga Johann Wadephul dhe gjithë të tjerët, e kanë mbështetur Shqipërinë dhe kanë bërë gjënë e duhur, ashtu sikundër mirëkuptoj edhe ata që kanë qenë kundër. Ka qenë një debat i fortë përderisa ka pasur një shumicë “pro” dhe një pakicë “kundër”, që do të thotë që “pro”-ja ka hapur negociatat përsa i takon Gjermanisë, përndryshe, për çfarë është diskutuar e për çfarë votuar. Ne do t’u mbushim mendjen dhe atyre që do kishin bërë më mirë që të kishin votuar pro, sepse Shqipëria e meriton, por kjo duhet bërë hap pas hapi, me fakte dhe me prova”, – përfundoi Kryeministri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.