Kuvajti, ndihma për familjet e prekura nga tërmeti në Elbasan

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Edhe Ambasada e Kuvajtit akredituar në Tiranë është solidarizuar me familjet të cilat u dëmtuan seriozisht nga tërmeti i cili tronditi dhe rajonin e Elbasanit. Brenda një harku të shkurtër kohor ambasadori i Kuvajtit, Fajez Meshari Al Jaseem vjen në Elbasan, dhe këtë herë solli 500 pako me ndihma për të prekurit e tërmetit. Ambasadori është pritur në këtë takim nga kryetari i bashkisë Gledian Llatja, deputetët e Elbasanit, si edhe sekretarja e përgjithshme e Prefekturës Eva Bica.

Gjatë këtij takimi në Prefekturë, ambasadori i Kuvajtit Fajez Meshari Al Jaseem u shpreh i gatshëm për të ndihmuar të prekurit e tërmetit në vendin tonë, ndërsa shtoi se ”Ambasada e Kuvajtit do t’u gjendet pranë të gjithë popullit shqiptar të prekur nga tërmeti, ndërsa shprehu keqardhje për të gjitha familjet e prekura nga ky fenomen. “Me kreun e bashkisë Gledian Llatja kemi biseduar edhe për investime të tjera në Elbasan, por fillimisht le të kalojmë këtë situatë”, – u shpreh ambasadori.

Vetëm në Elbasan shteti i Kuvajtit do të dhurojë 500 pako me ndihma ndërsa në të gjithë vendin 5000 të tilla të cilat konsistojnë në ushqime.

Ky akt solidariteti nga ana e qeverisë së Kuvajtit është përshëndetur dhe nga kryetari i bashkisë Gledian Llatja i cili përdori edhe termin “miqtë e mirë duken në kohë të vështira”, ndërsa nuk la pa përmendur edhe gatishmërinë që bashkia e Elbasanit ka ofruar dhe do të ofrojë për familjet e prekura nga tërmeti.

Falenderime për këtë akt human kanë dhënë edhe deputetja Evis Kushi, ku në fund të vizitës, ambasadori i Kuvajtit firmosi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit mes Ambasadës së Kuvajtit, Shërbimit Social, Prefekturës së Elbasanit dhe shoqatës ICC. /m.s/z.tosku/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.