Kandidatura e Shqipërisë për Këshillin e Sigurimit të OKB-së/ India konfirmon mbështetjen

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ – Një takim i veçantë dypalësh, e ka cilësuar Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme në detyrë Gent Cakaj, takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar ku në qendër të diskutimeve ishte domosdoshmëria e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe nevoja për mbështetjes së saj në mekanizma ndërkombëtarë.

“Mbështetja e konsolidimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës është elementi qendror i politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon”, – tha Cakaj.

Ndërkohë bashkëpunimi dypalësh mes Shqipërisë dhe Indisë mbetet shumë i rëndësishëm. “Ramë dakord edhe për përmbylljen përfundimtare të një varg marrëveshjeve në fushën e sigurimeve shoqërore, promovimit dhe mbrojtjes së investimeve dhe transportit detar. Ky kuadër i marrëveshjeve do të ketë një rol domethënës në konsolidimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Indisë”, – njoftoi Cakaj.

Ndër të tjera sipas ministrit në detyrë, “India konfirmon mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.