Gjermania, mbështetje për integrimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Gjermania është mbështetësja kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në një takim të zhvilluar me përfaqësues të ambasadës së Gjermanisë dhe Bankës Gjermane të Zhvillimit KfW ka marrë sërish garanci për bashkëpunim të mëtejshëm drejt realizimit të prioriteteve të Qeverisë Shqiptare.

“Në takimet e djeshme me përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane dhe Bankës Gjermane të Zhvillimit (KfW) ndamë qëllimet e përbashkëta për ecurinë e zhvillimit ekonomik dhe procesin e integrimit të Shqipërisë. Asistenca teknike për rritjen e kapaciteteve, garanci financiare për startapet e reja deri në 70%, si dhe zhvillimet sektoriale do të vazhdojnë të jenë disa prej shtyllave tona të bashkëpunimit në të ardhmen. Falenderimet e mia për Ambasadorin Gjerman Z. Zingraf dhe kolegët gjermanë, për angazhimin dhe nxitjen për realizimin e prioriteteve madhore të Qeverisë shqiptare si dhe për mbështetjen e integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe europiane”, shprehet pas këtij takimi ministrja Anila Denaj. /a.sh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.