FOTO/ Nis puna për restaurimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ – Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kryen një vizitë inspektimi në ndërtesën e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë.

Kjo vizitë u bë në kuadër të mbikëqyrjes së punimeve restauruese, në bazë të projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, mbas rënies së disa tërmeteve në qarkun e Korçës, që shkaktuan dëme në këtë monument të kategorisë I.

Punimet kanë filluar sipas parashikimeve me rrethimin e kantierit, ngritjen e skelerive, vendosjen e banerit dhe tabelës informuese.

Në vazhdim të punimeve dhe pas bërjes së sondazheve të parashikuara në projektin e restaurimit, punimet vijojnë dhe konsistojnë në ndërrimin dhe riparimin e suvatimeve të brendshme, ndërsa njëkohësisht kryhet edhe çmontimi i çatisë ekzistuese, për të lehtësuar punimet dhe më pas për t’u restauruar. /a.a/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.