FOTO/ Nis ndërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti, Veliaj viziton familjen Xheleku në Petrelë

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ – Pa kaluar as tre ditë nga tërmeti i së shtunës, nis puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti në zonat më të prekura nga lëkundjet sizmike. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputetët e PS, Xhemal Qefalia dhe Mimi Kodheli, vizituan familjen prej 4 anëtarësh të Xhevdet Xhelekut në Petrelë.

“Kemi pasur një javë me lajme jo të mira, nga tërmeti te përmbytjet, por tani po vazhdojmë me lajme të mira. S’kemi pritur as tri ditë nga tërmeti, kemi filluar rindërtimin e shtëpive: filluan shtëpitë në Ndroq dhe në Kashar, tani po fillojmë shtëpitë në Petrelë. Mezi pres që edhe në shtëpinë e Xhevdetit të vijnë që sot inxhinierët. Është caktuar kompania që ka marrë përsipër ta rindërtojë, do vijë të bëjë matjet. Ata do të zhvendosin plaçkat e tyre te fëmijët dhe pastaj do fillojmë rindërtimin e shtëpisë”, – tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se punonjësit janë në terren në krah të njerëzve në nevojë dhe siguroi se falë edhe bashkëpunimit me privatin, i cili iu përgjigj thirrjes së Bashkisë, shumica e familjeve, përfshirë edhe atë të Xhevdet Xhelekut në Petrelë, do të futen në banesat e re brenda dhjetorit. “Shqipëria nuk e ka parë ndonjëherë një solidaritet të tillë. Do fillojmë vetë rindërtimin e shtëpive, sidomos në zonat e fshatit, ku shtëpitë janë monofamiljare dhe një kulm i prishur shkatërron jetën e  një familjeje. Ndërkohë, po vazhdojmë me procesin e adoptimit të shtëpive pothuajse në të gjitha fshatrat e Tiranës. Besoj se shumica e familjeve, përfshirë edhe familjet e Xhevdetit, vitin e ri do ta hamë në shtëpinë e re”, – theksoi Veliaj.

Ai nënvizoi se ngjarjet e fundit ishin edhe një test që tregoi se Tirana di të ngrihet nga fatkeqësitë natyrore.

“Rëndësi ka që shpëtoi jeta, kaluam një test të madh. Rëndësi ka që Tirana u ngrit në këmbë, shteti u ngrit në këmbë, qeveria, bashkia, njerëzit iu gjendën njëri-tjetrit me solidaritet. Kjo është e rëndësishme! Këto të tjerat janë llaç e tulla, kemi treguar se dimë t’i bëjmë shumë mirë, me cilësi dhe në kohë rekord. Ndaj, jam këtu për të sjellë disa ndihma për të kaluar këto ditët e para, por tani që me këtë diell të ri lind edhe një shpresë e re, fillon edhe një punë e re për të ndërtuar të gjitha shtëpitë”, – u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se “do ta ndjekim këtë procedurë edhe kur të dalim nga cikli i lajmeve të tërmetit, se sigurisht 3 ditë zgjat, dhe pastaj fillon ndonjë çudi tjetër. Do të jemi këtu përditë, derisa të shohim më në fund që ky qytet edhe rrëzohet bashkë, por edhe ngrihemi bashkë”.

Deputetja e PS, Mimi Kodheli vlerësoi angazhimin maksimal të strukturave shtetërore që janë përgjigjur që në momentet e para njerëzve në nevojë të prekur nga tërmeti dhe për fillimin e menjëhershëm të punës për rindërtimin e banesave.

Një reagim i tillë të shpejtë nga bashkia dhe institucionet shtetërore për të gjithë familjet e prekura nga tërmeti, u vlerësua dhe nga deputeti i zonës Xhemal Qefalia. Kryesisht, banesat e dëmtuara nga tërmeti janë jo vetëm të vjetra, por edhe të ndërtuara pa cilësi. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.