PRISHTINË, 25 shtator /ATSH/ – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku është pritur nga presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump.
Në këtë takim të shkurtër me presidentin Trump, presidenti Thaçi e ka falenderuar atë për mbështetjen që Presidenti i Amerikës, populli i Amerikës, i kanë dhënë gjithmonë popullit dhe shtetit të Kosovës.
Presidenti Thaçi ka theksuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin e Kosovës ka qenë përcaktuese, fillimisht për mbijetesë dhe më vonë për jetësimin e aspiratës për liri dhe pavarësi.
Kreu i shtetit ka thënë se vazhdimi i mbështetjes gjithëpërfshirëse amerikane është jetik për ruajtjen e paqes dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Europën. Presidenti Thaçi gjatë qëndrimit në Nju-Jork ka zhvilluar takime të shuma më liderë botërorë për të shtyrë përpara agjendën e thellimit të bashkëpunimit bilateral. /KosovaPress/