Vendimi pro negociatave nga CDU/CSU: Grupet e opozitës në Bundestag do të mbështesin këtë vendim historik

TIRANË, 24 shtator/ATSH/- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, falënderoi sot deputetët e grupeve parlamentare të CDU/CSU, të SPD për votimin pro për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Balla, i cili ndodhet në Gjermani, shprehu besimin se edhe grupet e tjera të opozitës si Greens, FDP dhe Die Linke do të mbështesin këtë vendim historik dhe do të votojnë pro në seancën e së enjtes.

“Sapo përfundoi mbledhja e Grupit Parlamentar të SPD dhe po ashtu e CDU/CSU, ku partitë e koalicionit qeverisës gjerman miratuan në grupet e tyre parlamentare vendimin e Bundestagut për të autorizuar qeverinë gjermane që në Këshillin Europian të 17-18 qershorit të shprehet pro fillimit të bisedimeve për anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë”, – thekson Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se “të dy grupet parlamentare morën sot vendimin se “Bundestagu, në bazë të nenit 9 të Ligjit Federal mbi bashkëpunimin e Qeverisë Federale me Bundestagun gjerman, lidhur me çështjet e BE-së miratimin e tij, që Qeveria Federale të miratojë vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

“Vendimmarrja politike e grupeve do të shprehet nesër në Komitetin e Çështjeve Europiane dhe pasnesër në Seancën Plenare të Bundestagut në mbrëmje”, – bën të ditur Balla.

“Sot dhe nesër në Bundestag për të falënderuar deputetët e grupeve parlamentare të CDU/CSU, të SPD por jam besim plotë që edhe grupet e tjera të opozitës si Greens, FDP dhe Die Linke do të mbështesin këtë vendim historik dhe do të votojnë pro në Seancën e së Enjtes”, – tha Balla./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.