Vendimi i CDU/CSU- Basha: Gjermania rikonfirmoi mbështetjen për Shqipërinë

TIRANË, 24 shtator/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shprehu sot mirënjohjen ligjvënësve gjermanë dhe në veçanti partive CDU/CSU, të cilat rikonfirmuan vullnetin e tyre për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kreu i opozitës thekson se se “partitë qeverisëse në Bundestag kanë miratuar sot 9 kushte për t’u plotësuar që Shqipërisë t’i hapen negociatat për anëtarësim në BE. Shtimi i kushteve dhe kërkesa për zgjidhjen e krizës politike shprehin shqetësimin e sinqertë për hapat mbrapa që Shqipëria ka shënuar që nga qershori 2018”.

“Këto kushte dhe kërkesa reflektojnë dështimet e qeverisë dhe jo të popullit shqiptar. Në veçanti kërkesat e reja për arrestimin dhe procedimin penal të personave të përfshirë në blerjen e votave dhe kërkesa për të vendosur mbi legjitimitetin e procesit farsë të 30 qershorit reflektojnë qartë se dështimi dhe përgjegjësia për mos hapjen e negociatave është e Edi Ramës dhe askujt tjetër”, – nënvizon Basha.

Sipas tij, vendimi i CDU/CSU dhe SPD për hapjen me kushte të negociatave e ndihmon Shqipërinë për të kapërcyer krizën e rëndë politike, për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme dhe për një drejtësi të pavarur që ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.

“Në emër të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar, garantoj të gjithë shqiptarët dhe partnerët tanë se do të bëjmë gjithçka që vendit tonë t’i hapen negociatat sa më parë”, – shprehet Basha./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.