Përmbytjet/ Xhaçka: Mekanizmi ri i Mbrojtjes Civile, koordinimi mes institucioneve në nivel të ri

TIRANË, 24 shtator/ATSH/- Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, deklaroi sot se “në qarkun e Tiranës rreth 105 banesa kanë prezencë uji, ku më problematike paraqitet situata në Kamëz”.

Në një konferencë për shtyp, Xhaçka ka bërë një bilanc të situatës së deritanishme nga situata e përmbytjeve që përfshinë Shqipërinë mbrëmjen e djeshme.

“Ka qenë një natë me reshje të një intensiteti të pazakontë, ku në një periudhë prej disa orësh ka rënë një sasi shiu e barabartë me mesataren mujore apo edhe disa mujore dhe që ka prekur veçanërisht Tiranën, Kamzën, Lezhën, Laçin apo Fushë Krujën”, theksoi ministrja.

Sipas saj, fatmirësisht, edhe pse infrastruktura, sidomos kanalizimet e kolektorët, e kanë pasur të vështirë të përballojnë fluksin e jashtëzakonshëm të ujit në momentet e para, aktualisht situata paraqitet e stabilizuar dhe pa probleme, me përjashtim të disa zonave të izoluara, të cilat janë asistuar e po asistohen tani që flasim, nga autoritetet vendore të mbështetura nga shtabet e emergjencave, ekipet e infrastrukturës dhe Forcat e Armatosura.

“Dje, me shirat e rrëmbyeshëm ne kemi pasur mundësinë të testojmë sërish mekanizmin e ri të Mbrojtjes Civile i cili e ka çuar koordinimin mes institucioneve në një nivel të ri. Pra, ka pasur një organizim e koordinim mes Emergjencave në Ministrinë e Mbrojtjes, prefekturave dhe njësive të qeverisjes vendore, që ka funksionuar dhe që na ka lejuar ta adresojmë situatën e krijuar me shumë më tepër efikasitet, sesa në raste të ngjashme në të shkuarën”, tha Xhaçka.

“Falë këtij angazhimi është bërë e mundur që përgjithësisht akset rrugore dhe sistemet kryesore të furnizimit të popullsisë me energji dhe ujë të pijshëm të jenë funksionale. OSHEE ka punuar gjatë natës dhe orëve të para të ditës së sotme, për të adresuar problematikat e krijuara nga dëmtimi i disa shtyllave apo prania e ujit në disa nënstacione. Pranë banorëve të prekur që në  momentet e para janë paraqitur stafet e bashkive ndërsa bluzat e bardha, sikundër gjatë këtyre ditëve me një punë të admirueshme vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri për çdo nevojë të mundshme”, theksoi ajo.

Sipas informacioneve që përditësohen orë pas ore, në qarkun e Tiranës, në 105 banesa ka prezencë uji dhe vështirësi ka pasur në Bashkinë e Kamzës, kryesisht në rrugët e brendshme. Dhjetra efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar që prej orëve të para të natës e vazhdojnë të qëndrojnë pranë banorëve, ndërsa rreth 400 efektivë të tjerë bashkë me mjete janë në gjendje gatishmërie.

Sipas raportimeve, ekipet në terren nuk kanë nevojë për kapacitete e mbështetje shtesë dhe situata pritet të normalizohet plotësisht.

“Në Fushë Krujë kemi pasur situatën ndoshta më problematike, për shkak se zona të ndryshme të kësaj njësie administrative funksionojnë edhe si ujëmbledhës për zona të tjera të Tiranës. Pra, është vënë re prani e shtuar të ujit, jo vetëm nga reshjet, por edhe nga vërshimi i ujërave nga zonat me reliev më të lartë”, tha Xhaçka.

Aktualisht raportohet për 10 familje në fshatin Larush dhe 8 familje në njësinë administrative Bubq në banesat e të cilave ka prani uji. Në fshatrat Bilaj, Murqine dhe Mallkuc, lumi Ishëm doli nga shtrati dhe ka përmbytur toka bujqësore, duke rrezikuar edhe shtëpitë e ndërtuara pranë lumit.

Në bashkinë Lezhë, aktualisht situata është e normalizuar pas rritjes së nivelit të ujit mbrëmjen e djeshme në lagjen “Beslidhja”.

Në Bashkinë Kurbin situata ishte më problematike, pasi reshjet me intensitet të lartë bënë që të dalin ujërat e përroit në qendër të Laçit. Rritja e nivelit të ujërave mbi kapacitetin e përcjelljes së kolektorit Laç-Milot, bëri që të përmbyten disa banesa të ish-kombinatit të drurit dhe evakuimin e një familjeje. Ka rreth 350 ha tokë nën ujë.

Në Qarkun Shkodër, pavarësisht reshjeve të dendura, sipas raportimeve nga 5 bashkitë nuk ka probleme.

Pra, situata e përgjithshme mund të thuhet se është nën kontroll dhe problemet e shkaktuara nga reshjet dje janë të kufizuara qoftë gjeografikisht, qoftë në përmasa e shkallë.

Sigurisht, që jemi duke monitoruar lumenjtë kryesorë të këtyre zonave, duke filluar nga Erzeni e Ishmi, por për momentin nuk ka arsye për t’u shqetësuar edhe duke pasur parasysh faktin, që sipas parashikimeve të meteorologëve intensiteti i reshjeve po vjen në zbritje.

“E di që pas një nate, si ajo që kaloi Tirana dhe Durrësi në fundjavë, është shkaktuar një lloj shqetësimi tek qytetarët edhe në formën e një stresi posttraumatik. Por dua t’i garantoj që situata është tërësisht e tejkaluar, të paktën situata e reshjeve mbrëmë dhe që çdo hallkë e shtetit dhe të vazhdojë të funksionojë me gatishmëri dhe përkushtim të plotë”, theksoi ministrja Xhaçka.

“Reshje të tilla janë tashmë një realitet, janë pasoja e prekshme e ndryshimeve klimatike, por edhe e dëmeve që i kemi bërë qoftë natyrës, qoftë infrastrukturës gjatë dekadave të fundit. Por, ne tanimë kemi edhe më shumë  eksperiencë për t’i përballuar dhe për t’i adresuar më mirë këto problematika, që vijnë si pasojë e këtyre reshjeve apo dukurive të natyrës por kemi edhe shumë më tepër kapacitete nga çkemi patur më përpara për t’i përballuar me sukses adresimin e tyre”, tha Xhaçka.

Sipas saj, i gjithë shteti është në krye të detyrës, që nga bashkitë e prefekturat, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile, policia, stafet mjekësore apo ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

“Ne solidarizohemi me të gjitha familjet që janë sot në vështirësi. Ju kërkojmë atyre të bëjnë vetëm pak durim deri në tejkalimin e plotë të situatës në banesat e tyre. Njëherësh, i garantojmë ata se, ashtu siç nuk kanë qenë në mbështetje të tyre, askush nuk ka qenë vetë për ansjë moment të fatkeqësisë së tyre, ashtu do të jemi solidarë me ta deri në zgjidhjen e plotë të çdo problemi të shkaktuar nga tërmeti apo nga reshjet”, përfundoi ajo.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.