Pasojat e tërmetit, Çako: 62 grupe punojnë intensivisht në Tiranë e Durrës për përcaktimin e saktë të dëmeve

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako tha se Qeveria do të investojë maksimalisht për të ndihmuar familjet të cilave u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti apo stuhia e mbrëmjes së kaluar.

I ftuar në një nga mediet në vend, Çako tha se “shteti e ka vërtetuar me prova konkrete që është investuar maksimalisht për fatkeqësitë natyrore”.

“Prej mbrëmjes së djeshme deri sot paradite, Shqipëria është përfshirë nga një intensitet i konsiderueshëm reshjesh të cilit kanë qene kryesisht të përqendruara kryesisht në qendër të Shqipërisë në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë deri diku edhe në Shkodër, intensitet i të cilave edhe në bazë të raporteve të paraqitura nga Instituti i Gjeoshkencës por edhe nga Shërbimi Hidrometeorologjik i Ushtrisë ka qenë jashtë normales, duke pasur probleme shumë të larta rëniesh për një sipërfaqe të caktuara. Në ndihmë të tyre gjatë gjithë natës kanë qene Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe të gjitha strukturat e tjera”, tha Çako.

Lidhur me bilancin konkret, Çako tha se po punohet intensivisht megjithatë sipas tij, përmbytjet nuk janë në nivelet e disa viteve më parë.

“Tashmë është duke u punuar intensivisht për të bërë një bilanc, por duhet ta theksoj faktin se sasia e tokave po edhe e banesave nuk është se krahasohet me përmbytjet e mëparshme. Për shkak të kohës së shkurtër të rënies së reshjeve pati probleme. Më të prekura janë një pjesë e banesave në zonën e njësisë administrative të Bubqit dhe një pjesë në bashkinë e Kamzës të cilat janë duke u pastruar. Shumë shpejt besoj se nuk do të ketë prezencë ujë”, – sqaroi ai.

Më tej, Çako shtoi se “strukturat e emergjencave civile, qeveria ka në vëmendje të gjitha investimet që do të duhet të behën në bazë të analizave të bëra kohë më parë, të cilat kanë pasur problematika ndërkohë që këto janë fenomene natyrore që qytetarët, ne të gjithë do të duhet të mësohemi pasi edhe reagimi qytetar duhet të jetë në përshtatje të plotë me fenomenin”.

I pyetur nëse Shqipëria është në kushtet e një gjendje të jashtëzakonshme lidhur edhe me tërmetin e ndodhur, Çako tha se vendi ynë nuk është në këto kushte.

“Gjendja e jashtëzakonshme ka një sërë kriteresh të cilat do të duhet të plotësojnë dhe prevalojnë në rastin e shpalljes së saj. Jemi me dy fenomene natyrore që kanë ndodhur në Shqipëri, ndodhin edhe në shumë vende të tjera të rajonit, ashtu siç mund të them edhe në Greqi tërmetet pothuajse janë të përditshme. Nëse do t’a referojmë rastin e tërmetit të fundit rënë në datën 21, mund të themi që pavarësisht nga magnituda e lartë e tërmetit pasojat kanë qenë minimale dhe ne jemi duke punuar intensivisht për t’i ardhur në ndihmë në aspektin e shokut që kanë përjetuar dhe së dyti duke bërë vlerësimin dhe rehabilitimin sa më të shpejtë të dëmtimeve”, – tha ai.

“Janë 62 grupe që punojnë intensivisht në Tiranë e Durrës për përcaktimin e saktë e të gjithë pasojave”, – tha ai.

Sipas Çakos, së paku dy javë është afati ligjor i përfundimit të vlerësimeve të dëmeve. “Janë 50 banesa të cilat konsiderohet të dëmtuara në Tiranë e Durrës. Durrësi është më i prekur”, – tha ndër të tjera Çako. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.