Manastirliu: Të gjithë në gatishmëri për tejkalimin e situatës së krijuar nga tërmeti dhe përmbytjet

TIRANË, 24 shtator/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se “të gjitha strukturat e shtetit janë në terren në gatishmëri të plotë për tejkalimin e plotë të situatës së krijuar pas tërmetit dhe përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet”.

“Në Kamëz jemi angazhuar për të qëndruar afër familjeve që kanë pësuar dëme. Po bëhet një vlerësim i imtësishëm teknik me ekspertë në çdo banesë, por paralelisht po punohet në frymën e solidaritetit për të gjitha familjet që kanë nevojë, sidomos për familjet me fëmijë të vegjël dhe me të moshuar”, – tha Manastirliu.

Ajo tha se “po mbështesim familjet që kanë më shumë nevojë për ndihmën sociale dhe shëndetësore”.

“Jemi me familjet që kanë kaluar natën në ambientet e stadiumit, ku qëndrojnë për  strehim të përkohshëm, si dhe për t’i siguruar ndihmën e nevojshme shëndetësore dhe sociale. Jo vetëm në bashkinë Kamëz, por në të gjitha bashkitë e prekura si në Durrës, Elbasan etj. Strukturat e shëndetësisë dhe shërbimeve sociale janë në territor për të siguruar mbështetjen e nevojshme”, – tha Manastirliu.

Ajo shtoi se “kur kemi identifikuar familje që jetojnë në kushte të papërshtatshme higjieno- sanitare i kemi transferuar qoftë në strehim të përkohshëm me çadra apo në pikat e emergjencës të ngritura nga bashkitë si në Durrës ku është hapur Konvaleshenca dhe janë ngritur çadra në stadium”.

“Edhe në Kamëz dhe bashkitë Tiranë që ka hapur pikat e emergjencës për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve më të prekura nga tërmeti. Ne po sigurohemi dhe po bëjmë gjithë inspektimet e nevojshme bashkë me bashkinë për të vlerësuar situatën. Po ashtu po bëhen inspektimet për të bërë dezinfektimin e nevojshëm bashkë me bashkinë, në mënyrë që të vlerësohen të gjitha problematikat që mund të shkaktohen në shëndetin e qytetarëve”, – tha Manastirliu.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.