Lufta kundër trafiqeve, qeveria angazhim në realizimin e prioriteteve

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ – Lufta kundër trafikimit të personave vijon të jetë një nga prioritetet e qeverisë.

Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme ka organizuar ditën e martë takimin koordinues të donatorëve Antitrafikim, të drejtuar nga zv/ministrja Rovena Voda, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të Delegacionit Europian, Këshillit të Europës, UN, OSBE, IOM, GIZ, Ambasadës amerikane, angleze, gjermane, franceze, holandeze, suedeze, si dhe përfaqësues të Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Në fokus të diskutimeve ishin pikërisht prioritetet e qeverisë shqiptare bazuar në “Planin Kombëtar të Veprimit për Luftën Kundër Trafikimit të Personave 2018-2020”, bashkëpunimi mes organizmave ndërkombëtarë dhe strukturave shtetërore të cilat kanë në fushën e përgjegjësisë së tyre luftën kundër trafikimit të personave.

Nga pjesëmarrësit u shpreh angazhimi për të vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e prioriteteve dhe objektivave të qeverisë Shqiptare në këtë fushë, nëpërmjet implementimit të projekteve suportit financiar të tyre. /a.sh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.