TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Bashkia Korçë dhe Qendra Laboratorike ICTSlab sjellin në Korçë një projekt, i cili ka për qëllim trajnimin e 30 të rinjve nga mosha 19 – 34 vjeç dhe nxitjen e punësimit në fushën e teknologjisë së informacionit.
Katër fushat në të cilat mund të aplikohet janë zhvillim aplikacionesh iOS dhe Android, Programim Python, menaxhim i rrjeteve sociale dhe dizajn grafik.
Përzgjedhja e fituesve do të bëhet nga një komision bazuar në këto kushte: mosha 19 – 34 vjeç; studentët me asistencë ekonomike; fëmijët jetimë; të rinjtë studentë/ish studentë me rezultate të mira por që janë të papunë; të rinjtë e kthyer nga emigracioni në vendet e Bashkimit Europian; femrave në teknologji.
Bashkia njofton se personave me rezultate të mira gjatë trajnimit do t’u sigurohet intership me pagesë ose punësim nga kompanitë partnere të ICTSlab. Aplikimet janë të vlefshme deri në 1 tetor 2019./m.m/j.p/