CDU/CSU voton për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Pasditen e kësaj të marte grupimi më i madh politik CDU/CSU ka votuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

CDU/CSU ka votuar kështu draftin e dokumentit që do të votojë të enjten Bundestagu gjerman.

“Bundestagu gjerman i hap dritën jeshile Qeverisë Federale që të mbështesë vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, ai shpreson që një vendim i mëvonshëm për anëtarësimin në BE jo vetëm që do të rregullonte përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, por edhe do të merrte në konsideratë aftësinë përthithëse të BE-së”, thuhet në rezolutën e CDU/CSU-së.

“Bundestagu gjerman u bën thirrje forcave demokratike në Shqipëri të bëjnë përpjekje të menjëhershme për kapërcimin sa më të shpejtë të krizës përmes dialogut politik, përndryshe rruga e negociatave të anëtarësimit do të bëhet edhe më e vështirë”, thuhet në rezolutë.

“Në raportin e tij drejtuar Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian lidhur me progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve të domosdoshme të anëtarësimit, Komisioni arrin në përfundimin se Shqipëria po bën përparim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave në fusha kryesore si administrata publike, drejtësia, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në rezolutë.

“Që në qershor të vitit 2018, Këshilli u angazhua të merrte një vendim për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në vitin 2019 në bazë të progresit të deritanishëm dhe përmbushjen e kritereve të sipërpërmendura. Që atëherë, Shqipëria ka vazhduar kursin e zbatimit të reformave dhe ka bërë progres në përmbushjen e kritereve kryesore. Përveç njohjes së progresit të reformave, Komisioni bën gjithashtu thirrje për përmirësimin e klimës politike në vend”, thuhet në rezolutë.

“Bundestagu gjerman mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe njeh përpjekjet e vendit për realizimin e reformave. Procesi i anëtarësimit është nxitës kryesor për reforma dhe stabilitet në rajon. Gjermania dhe BE-ja janë veçanërisht të interesuara për stabilizimin dhe bashkëpunimin e fqinjësisë së mirë në rajon. Shqipëria i kushton përparësi absolute anëtarësimit në BE dhe mbështetja popullore në këtë vend anëtar të NATO-s për anëtarësim në BE është shumë e lartë. Në vitet e fundit, vendi ka ndërmarrë reforma politike thelbësore për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Zbatimi i një reforme tërësore në sistemin e drejtësisë vazhdon”, vijon raporti.

Dokumenti ka 9 pika të kërkesave ndaj Shqipërisë të cilat ndahen në dy blloqe. Në bllokun prioritar janë reforma zgjedhore, ngritja e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese ndërsa gjashtë pikat e tjera hyjnë në bllokun e dytë të cilat duhet të plotësohen kur të hapen negociatat.

Kërkesat kryesisht lidhen me drejtësinë dhe ndërtimin e institucioneve që do luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.  /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.