Lajmi i rremë për tërmet, Braçe: Autorët do përballin Drejtësi 5.8 ballë

TIRANË, 23 shtator /ATSH – I. Vata/ “Ne jemi të vendosur që autorët e lajmit të rremë dhe zotëruesi e këtij rrjeti kriminal të përhapjes së lajmeve të rreme të përballen me ligjin me fuqi 5.8 të shkallës Rihter me intensitet 8 ballë. Loja me lajme të rreme në politikë është kthyer në sport, por loja me lajme të rreme që kërcënon jetën dhe sigurinë e qytetarëve do marrë fund tani”, – deklaroi sot zv.kryeministri Erjon Braçe.

Braçe tha se dje shoqëria shqiptare, rendi kushtetues, siguria publike, siguria kombëtare, ligji penal, mbi të gjitha jeta dhe prona e qytetarëve në Tiranë, Durrës dhe deri diku edhe në Elbasan u sfidua, u kërcënua deri në kufijtë e kaosit që ishte një hap larg me dhunë dhe plaçkitje të mundshme nga lajmi i rremë fabrikuar qëllimisht nga “syri.net”, një media online, shembulli i gazetarisë politike të kapur e në këtë rast dhe të gazetarisë kriminale.

“Qeveria është e vendosur të garantojë me çdo çmim lirinë e medias, brenda të drejtës kushtetuese të informimit, mbështetur fort në standardet më të mira europiane e më gjerë, ndërkombëtare, por kërcënimi serioz i rendit kushtetues i sigurisë publike, sigurisë kombëtare sigurisë se jetës dhe pronës së çdo qytetari në këtë vend, kërkon të njëjtën vendosmëri për t’u përballur ligjërisht me lajmet e rreme prodhuar në mendja e shpërndarë nga një rrjet kriminal, që zotëron të dhëna personale të qytetarëve shqiptar dhe që dje shkaktoi panikun më të madh të evidentuar në këtë vend që mund të kishte pasoja të rënda në radhë të parë për jetën e qytetarëve pronën dhe pasurinë e tyre. Çdo germë në atë lajm ishte e qëllimshme por jo vetëm kaq ishte e rreme”, – tha ai.

Po ashtu Braçe tha se “çdo germë në atë lajm ishte e paligjshme për rritjen e panikut për lënien e shtëpive, rrezikimin e jetës së njerëzve, pse jo rrezikimin e njerëzve në rrugë në atë trafik marramendës”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.