Jahollari: 45 grupe pune për vlerësimin e dëmeve, brenda 5 ditëve dosjet i dorëzohen Bashkive

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare deklaroi se situata është normale dhe grupet e ngritura nga bashkitë e Tiranës, Vorës, Kamzës, Kavajës dhe Rrogozhinës janë duke vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

Sipas Jahollarit, çdo grup pune ka në përbërje të saj një inxhinierë dhe një urbanist. “Grupet e punës në terren paraprakisht janë rreth 45 grupe pune. 5 Grupe pune në Vorë, 5 në bashkinë Kamëz, 5 në bashkinë Kavajë dhe 30 në bashkinë e Tiranës. Grupet e ngritura shkojnë shtëpi më shtëpi. Atje bëjnë verifikimin. Identifikojnë me karta identiteti dhe dokumentet përkatëse pronësinë e shtëpisë, më tej vlerësojnë dëmin, duke përcaktuar nëse këto banesa, pallate… etj., janë të banueshme apo jo. Kjo procedurë kërkon korrektësi dhe impenjim maksimal”, – tha Jahollari për ATSH.

“Ne si prefekt jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha grupet e punës dhe tashmë kemi kaluar në fazën e vlerësimit dhe aty ku është e mundur dhe eliminimin e pasojave. Grupet e punës së ngritura në qarkun e Tiranës duhet që brenda 5 ditëve të përcjellin informacionin e tyre në Bashki, Bashkitë ja kalojnë për miratim Këshillit Bashkiak, ku vendoset se sa është kosto e përballueshme nga Bashkia dhe sa do jetë kosto që i kalohet Drejtorisë së Emergjencave Civile”, – tha Jahollari.

Prefektja e Tiranës, Jahollari u shpreh se momentalisht po punohet për të ngritur një qendër pritëse në zonën e Vorës. “Që parmbrëmë natën në bashkinë e Tiranës u ngritën 6 qendra pritëse, rruga “3 Dëshmorët”, “Liqeni i thatë”, Bulevardi i ri”, “Kashar”, Kisha te rruga “Don Bosko” dhe shkolla “Betim Muço” në Kombinat. Ndërkohë që mbrëmë pas situatës së krijuar nga një lajm i rremë, shumë qytetarë janë drejtuar te “Don Bosko’ ku kemi pasur rrethe 200 vetë të grumbulluar te pika emergjencës te “Don Bosko”, por që u menaxhua mjaft mirë dhe me qetësi, ndërsa numri i tyre ra pas reagimit të qeverisë për lajmin e rremë. Sot, që flasim, çadra vazhdojnë te Qendra pritëse në Don Bosko, Kashar, Pezë dhe Yzberish”, – tha Jahollari.

“Sot po hapim një pikë emergjencë në Vorë, pasi kërkesë së bashkisë së Vorës. 7 çadra u kaluan atje dhe sot po vijojnë dërgimi i disa çadrave të tjera atje. Edhe në Vorë po punojmë me mënyrën se si u veprua në Tiranë, ku përveç çadrave, janë hapur dhe qendrat pritëse për banorët”, – tha Jahollari për Agjencinë Telegrafike Shqiptare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.