Evakuohet familja në Picallë, Manastirliu: Ndihmë e menjëhershme për më të prekurit nga tërmeti

Tiranë, 23 Shtator /ATSH/ – Familja Stafaj në Picallë, në periferi të Tiranës, shtëpia e së cilës pothuajse është shkatërruar plotësisht nga tërmeti, tashmë është vendosur në një strehë të përkohshme, të sigurtë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me deputetin e zonës, Xhemal Qefaliu kanë qenë pranë familjes për të bërë të mundur ndihmën dhe evakuimin e tyre në qendrēn e emergjencës në Kombinat.

“Për fat të mirë e gjithë familja Stafaj në Picallë, në periferi të Tiranës kanë shpëtuar pa dëmtime, ndërsa shtëpia e tyre e vjetër tashmë është e pabanueshme. Ekipi i shërbimit social dhe strukturat vendore realizuan evakuimin e familjes në një qendër të përkohshme, ku jo vetëm kanë një strehë të sigurtë, por po marrin shërbimet e nevojshme sociale dhe shëndetësore” – shkruan Manastirliu në facebook.

Strukturat e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale janë në gadishmëri të plotë 24 orë për t’u gjendur pranë të gjitha familjeve që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, strehim, ushqim, veshmbathje. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.