Cakaj jep çmime “Ambasador i Kombit” për përfaqësues të diasporës në Nju-Jork

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka dhënë gjatë një ceremonie në New York, SHBA disa çmime “Ambasador i Kombit” për bashkësinë shqiptaro-amerikane.

Mes të nderuarve ishin edhe Bruno Ceka, kryetar i Komunitetit Shqiptar Amerikan në Dallas, fotografi i shquar i modës, Fadil Berisha, Beti Beno, presidente e Organizatës së Grave Shqiptaro- Amerikane “Motrat Qiriazi”, Shkolla e njohur e gjuhës shqipe “Alba Life”, në New York (e mori themeluesi dhe drejtori i saj, Qemal Zylo), shkrimtari dhe kritiku i njohur i komunitetit Dr.Gjeke Marinaj, Shoqata “Bijtë e Shqipes”, në Philadelphia etj.

Të nderuarit e kësaj mbrëmje u bashkohen emrave nga diaspora të nderuar si Ambasadorë të Kombit, që prej Samitit të Dytë të Diasporës.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Shtetit për Diasporën, i cili thekson se, “gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit “Ambasador i Kombit” nga Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në New York, SHBA. Çmimet iu dorëzuan dy personaliteteve shqiptare, Bruno Ceka, kryetar i Komunitetit Shqiptar Amerikan në Dallas dhe Beti Beno, presidente e Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”.

Organizata e Grave Shqiptaro- Amerikane “Motrat Qiriazi” është një nga organizatat e njohura për punën për të ngritur statusin dhe shpirtin e grave dhe vajzave shqiptare dhe për sigurimin e një rrjeti mbështetës që ndihmon në forcimin e të gjithë motrave, grave, nënave dhe anëtareve të shoqërisë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.