Koçi: Në banesat e dëmtuara nga tërmeti do ketë ndërhyrje radikale, tek të tjerat kompensim

TIRANË, 22 shtator /ATSH-A.ALLA/ “Krahas dëmit psikologjik deri tani janë rreth 1000 ndërtesa, përfshi banesa të vogla, por edhe më të mëdha si pallate. Ky ishte një tërmet i fuqishëm por i përballueshëm nga infrastrukturat ndërtimore të cilat janë më bashkëkohore. Ndërsa ato më të vjetra me një teknologji më të varfër ndërtimi pësojnë më shumë nga këto goditje”, – deklaroi zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, gjatë një interviste televizive mbi tërmetin që goditi vendin tonë.

Koçi tha se, “unë e kam verifikuar dhe në rastin e tërmetit në Korçë, ku ndërtesat e vjetra të cilat kishin përdorur dhe baltën si mjet lidhës mes gurëve nuk mund të përballonin një tërmet të atillë, si ai që ra në Korçë. Ne e pamë dhe në Tiranë që ndërtesat shumë të larta nuk kanë pësuar dëme, ose kanë pësuar dëme të vogla, në ndonjë suvatim”.

“Për familjet të cilat nuk kanë mundësi ku të banojnë për shkak se banesat janë dëmtuara rëndë garantohen qendra strehimi duke filluar nga çadrat deri tek përdorimi i godinave publike, por që kanë kapacitet për të mbajtur një numër të madh banorësh dhe ku mund të kryesh shërbime asistence, qoftë me shërbim mjekësor dhe ushqim”, – u shpreh Koçi.

Ai tha se, “kështu ka ndodhur dhe në Korçë kështu po veprohet dhe tani. Kuptohet që gjeografia e dëmeve këtë herë është më e madhe dhe kërkon një angazhim më të madh njerëzish dhe strukturash shtetërore”.

“Në banesat e dëmtuara rëndë do ketë një ndërhyrje më radikale ndërsa për të tjerat do ketë një kompensim sipas ligjit dhe vendimeve përkatëse të qeverisë”, – theksoi Koçi.

Koçi shtoi se, “e rëndësishme është që deri tani kanë ardhur mesazhe solidariteti edhe nga vendet partnere dhe nga vet Bashkimi Europian. Përderisa Bashkimi Europian ka një gatishmëri atëherë do të thotë që ndihma do ketë jo vetëm nga BE por edhe nga vende të veçanta, siç ishte rasti i Italisë”.

Sa i takon akuzave të opozitës për shpalljen e emergjencës, Koçi thotë se nuk janë kushtet për një gjë të tillë.

“Gjendja e emergjencës së shpallur sipas ligjit është kur me strukturat të cilat përgjigjen për të përballuar këto lloj emergjencash nuk ja arrin dot, nuk mund të përballohet situata, sepse përmasa e fatkeqësisë është e tillë që nuk mund ta përballojë Policia dhe Forcat e Armatosura me strukturat përkatëse. Bëhet kjo shpallje në mënyrë që çdo energji, strukturë shtetërore dhe kapacitete private vihen në shërbim të emergjencës”, – u shpreh Koçi.

“Deri tani nuk shoh një situatë të tillë, fatmirësisht nuk jemi në atë lloj përmase të propozohet një gjë e tillë. Mbetet për t’u gjykuar. Nuk është rasti për të bërë lojëra politike me ngjarje të tilla si tërmetet”, – përfundoi zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.