FOTO/ Rama te spitali i Traumës: Askush nuk do mbetet vetëm

TIRANË, 22 shtator /ATSH A.ALLA/ -Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në spitalin e Traumës disa nga qytetarët që u lënduan si pasojë e tërmetit që tronditi dje Tiranën dhe Durrësin.

“Në një rast si ky është momenti për t’ju falenderuar për çdo gjë dhe për t’ju shprehur mirënjohjen sepse dje ka qenë një ditë pushimi dhe është fakt që pavarësisht kohës së dhënies së alarmit, të gjithë janë nisur për të ardhur në pikat kyçe këtu, tek QSUT-ja pa pritur që t’ju vij asnjë njoftimi. Është një shprehje shumë domethënëse e vetëdijes, e ndjenjës së solidaritetit dhe shërbimit ndaj njerëzve”, deklaroi kryeministri Edi Ram.

Rama tha se, “fluksi i parë ka qenë i madh dhe është përballuar me sukses. Fal natyrës nuk ka qenë një goditje fatale dhe përgjithësisht plagët e marra dhe problemet e natyrës mjekësore nuk kanë qenë ekstreme, por nga ana tjetër kujdesi ka qenë maksimal. Sot gatishmëria është maksimale, numri fatmirësisht ka rënë fare megjithatë secili prej atyre që vazhdojnë të jenë nën vëzhgimin e mjekëve është një person dhe bashkëqytetarë që meriton gjithë vëmendjen sepse nuk janë numrat që krijojnë vëmendjen por nevoja për ti shërbyer dhe një njeriu të vetëm”.

“Të gjithë e kanë parë që kemi qenë të organizuar menjëherë sepse qoftë ministrja e Shëndetësisë, qoftë ministrja e Mbrojtjes, qoftë prefektët kanë punuar në vijimësi me trajnime të protokolleve që janë gati për momentet e emergjencave. Kur këto emergjenca janë shfaqur gjithçka ka funksionuar më së miri, e mira nuk ka fund, por në këtë rast dhe fal faktit që nuk ka patur një goditje fatale gjithçka është përballuar më së miri”, u shpreh Rama.

Gjithashtu, kreu i qeverisë deklaroi se, “është gjëja më legjitime dhe normale që periudha pas tërmeteve të shoqërohet me ankth, pasiguri dhe patjetër dhe me nevojën e madhe për të ju komunikuar të gjithëve që duhet sa më shumë qetësi dhe pak durim sepse situate është fatmirësisht e kapërcyeshme. Nuk kemi dëmtime të natyrës së humbjes së jetës së njerëzve, së dyti nuk kemi dëmtime të strukturave të banimit të atilla që të kenë lënë familjet pastrehë. Çdo dëmtim do verifikohet, njerëzit nuk duhet të shqetësohen për plasaritjet e mureve apo për shenja të dukshme në sipërfaqet e pallateve sepse jo domosdoshmërisht ato janë shenja kërcënuese. Përgjithësisht janë sipërfaqësore, nuk  ka rrezik që një krisje e dukshme të shoqërohet me hapje të strukturës”.

“Çdo godinë qoftë shtëpi apo pallat do verifikohet nga specialistët për të dhënë konkluzionin nëse është një krisje, plasaritje apo nëse është diçka e sipërfaqshme. Më pas do ndërhyhet për të riparuar dëmet, pra nuk ka vend për panik. Ska asnjë arsye të mendohet  që meqë ndodhi dje do ndodhi sot. Lëkundjet e mëpasshme janë pjesë e mënyrës sesi zhvillohet procesi i stabilizimit të pllakave tektonike pas goditjes së rëndë”, theksoi Rama.

Rama vijoi se, “në kushtet që jemi duhet të marrim frymë të lehtësuar që është me kaq dhe përsa na takon do jemi në territor siç kemi qenë nga moment i parë për të komunikuar me njerëzit dhe për të lehtësuar shpirtërisht ata”.

“Kush e ka problem të qëndroj në shtëpi për arsye të frikës apo fëmijëve ka në dispozicion në Durrës 2 kavalishencat me 700 shtretër me kushtet optimal ashtu siç do kenë në dispozicion gjithë asistencën e nevojshme tek stadiumi ose në Tiranë tek qendrat e ngritura enkas për këtë situatë. Situata ka qenë e frikshme por duhet që orët më pas nuk duhet të ushqejmë frikën por qetësinë”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se, “godinat që kur ndërtohen kanë në konstruksionin e tyre dhe element të mbrojtjes nga tërmeti, kanë fuga sizmike të cilat janë enkas për këtë punë. Kur shohim një pallat të shkëputur nuk është një pallat i çarë por është një strukturë që ka reaguar si duhet ndaj tërmetit duke rritur fleksibilitetin e gjithë volumit”.

“Askush nuk do harrohet çdo kush do mbështet dhe do kryhen të gjitha riparimet e nevojshme aty ku ka patur dëmtime. Duhet pak durim pas nuk mund të bëhet inspektimi teknik menjëherë në gjitha pikat. Nuk ka rrezik përsa i përket problemeve të natyrës fizike të godinave. Gjithë qytetarët i ftojmë të bëjnë me dije problemet në numrat që kemi vënë në dispozicion në rast se ende nuk ka trokitur dikush”, shtoi Rama.

“Nëse doni provën e kësaj shkoni në fshatrat e Korçës kur ra një tërmet që nxori treçerekun e komunitetit nga shtëpitë dhe po rindërtohen të gjitha shtëpitë dhe para fillimit të shirave familjet që janë akoma sot që flasim nëpër tenda do hyn në shtëpi”, përfundoi Kryeministri Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.