Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu: Nuk ka vend për panik, pallatet e sigurta

TIRANË,22 shtator /ATSH/ “Nuk ka vend për panik, pallatet janë të sigurta”. Kështu u shpreh drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare gjatë së cilës ai trajtoi situatën e krijuar pas lëkundjeve të tërmetit një ditë më parë.

”Tërmeti që goditi ditën e djeshme në pjesën perëndimore të Shqipërisë, Tiranë – Durrës- Elbasan, dhe pjesën jugore të saj pati një intensitet të lartë, që ishte mbi 5. 5 ballë dhe në epiqendër ishte mbi 8 ballë. Dua të sqaroj, se intensitet është perceptimi dhe nuk ka njësi matëse, perceptimi i dëmeve dhe i pjesës së alarmit që krijon në popullatë një tërmet dhe nuk ka masë të caktuar, njëkohësisht ky perceptim ishte mbi mesataren dhe krijoi një situatë paniku te njerëzit dhe kjo situate erdhi si pasojë e mosnjohjes të disa gjërave teknike që ndodhin në raste të tilla”, tha ai.

Drejtori i Institutit të Ndërtimit tha se është hera e parë që intervistohen ndërtuesit, pasi deri dje ka qenë mbi bazën e arkitekturës vendosjes së planimetrisë, kurse si konstruksion për aftësinë mbajtëse të tyre është hera e parë që pyetemi.

”Tërmeti i djeshëm ishte një test i madh për të gjithë projektuesit shqiptarë, dhe gjej vend për të falënderuar kolegët e mi që kanë bërë një punë të mirë në projektim dhe në zbatim të godinave që janë ndërtuar në vendin tonë, sidomos para vitit 2013, sepse Shqipëria ka pësuar një kaus urban të vërtetë, dhe pas ardhjes së qeverisë Rama, këtu kanë filluar të stabilizohen gjërat duke u bërë kontrollet teknike për konstruksionet e objektit që nuk ishin bërë më përpara,ose ishin bërë në mënyrë sporadike, dhe selektive”, vuri në dukje ai.

Hysenlliu tha se janë disa lloje godinash,që ndahen në të shtangëta dhe elastike, godina të shtangëta janë godinat me mure, të cilat nuk lejojnë përkulje të objektit, por lëvizin në mënyrë masive. Godinat elastike lejojnë që objekti të kryejë lëkundjet e veta dhe janë më fleksibël karshi tërmetit.

Godinat e para janë të ndërtuara me mure masive, dhe nuk i kalojmë më tepër se 5, 6 kate, kurse të dytat janë të ndërtuara me beton, dhe hekur dhe lejohen të ndërtohen në lartësi edhe 100 kate.

“Në godinat që kemi parë në terren ato që kanë pësuar më shumë dëmtime janë ato që kanë qenë ndërtuar me mure masive, dëmtime ka patur edhe në godinat elastike, por dëmtime në struktura nuk ka patur. Dëmtimet janë evidentuar në veshjen e objektit që janë muret ndarëse dhe muret veshëse të tyre, që nuk përbëjnë problematikë për objektin”, tha ai.

Në inxhinieri dëmin e karakterizojmë në tre kategori, në dëm minor, ku hyjnë plasaritjet e holla, që nuk ndikojnë në strukturë, dëm mesatar, që mund të kenë plasaritje por nuk ndikojnë në strukturë,  si dhe dëmë fatale që japin goditje në struktura.

“Paniku i krijuar për këto vijëzime që kanë ndodhur ka qenë i tepërt, por kjo vjen nga padijenia e popullatës pasi është rasti i parë që ndodh, në Shqipëri një diçka e tillë, mbas 40 vjetësh”, tha ai.

Sipas tij, nga verifikimet që kemi parë në terren kryesisht, dëmtime kanë pësuar godinat e vjetra, kjo si rezultat i materialeve dhe projektimit të tyre. Godinat e reja e kanë kaluar testin.

Ai foli edhe për punën e organizuar në terren së bashku me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku si dhe me njësitë ndihmëse të ministrisë. “Po kryejmë inspektime dhe verifikime në Vorë dhe zonat përreth për gjendjen infrastrukturore të godinave kryesore siç janë kopshtet, çerdhet, shkollat , si dhe zyrat e Administratës Publike, për të mbrojtur jetën e qytetarëve”, tha ai.

Këshilla për qyetarët është se paniku është i tepërt. “Qytetarët duhet të reagojnë me qetësi, sidomos ata që banojnë në godinat e larta”, tha Hysenlliu. /.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.