569 kontakte të drejtëpërdrejta me të gjitha familjet e prekura nga tërmeti

TIRANE, 22 shtator/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë mbledhjes së grupit parlament të PS, ku ishin të pranishëm prefektë dhe kryetar të bashkive, se duhen 569 kontakte të drejtëpërdrejta me të gjitha familjet e prekura nga tërmeti i rënë një ditë më parë.

Duke kërkuar mbulimin e çdo zone të preku, Rama deklaroi se vetë do të pozicionohet në Durrës.

“Në total janë 569 banesa ku përfshihen edhe 53 pallate me dëmtime, kryesisht në Tiranë dhe Durrës. Kështu që na duhen 569 kontakte të drejtëpërdrejta. Deputetët e Tiranës e kanë detyrën e tyre bashkë me bashkinë. Mendoj të shtohen edhe disa kryetarë bashkish për ta bërë më të lehtë. T’u shtohen edhe kryebashkiakët e pjesës së veriut, të cilët duhet të fokusohen në Vorë”, deklaroi Rama.

Ai tha se të gjithë deputetët që janë në pjesën e rajonit të veriut do të qëndrojnë në Tiranë.

“Ajo që na duhet është që brenda shumë pak kohe kryetarët e njësive administrative të jenë të mbledhur bashkë me prefektët, bashkë me Shijakun dhe Kavajën. Të shpërndahen sipas territorit dhe të kontaktojnë çdo familje”, tha kryeministri.

“Është mirë që kjo gjë të bëhet e strukturuar. Të gjithë ata që do shkojnë në terren. Është mirë që në kontaktet të thonë se çfarë nevoje ka, për të sjellë më pas edhe kontributet. Në këto situata fillojnë edhe spekulantët. Shfaqen të prekur nga një tërmet më i rëndë se ai që është dukur. Për këtë arsye kjo shtrirje na ndihmon që aty ku ka problem, të themi që ka problem. Kështu kemi mundësinë që çdo grup të ketë kohën e nevojshme deri në mbrëmje”, tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.