Tërmeti/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e varësisë në gatishmëri të plotë

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e saj të varësisë janë vënë në gatishmëri të plotë që në momentet e para pas tërmetit për të evidentuar dëmet e mundshme të shkaktuara në sistemet e infrastrukturës apo energjisë si dhe për të riparuar menjëherë çdo defekt në këto sisteme.

Nga raportimi paraprak rezulton se nuk ka pasur dëmtime serioze apo bllokime të akseve kombëtare rrugore. ARRSH vijon kontaktet me të gjithë inspektorët e kontratave dhe kontraktorët, për të evidentuar me imtësi çdo aks rrugor apo urë për ndonjë dëmtim të mundshëm që mund të rrezikojë qëndrueshmërinë e tyre.

Në momentet e para pas tërmetit janë shkaktuar probleme në nënstacionet e zonës së Durrësit. Ka pasur stakime të trasformatorëve dhe linjave 110 kV që i furnizojnë ato, por me ndërhyrjen e grupeve të OSHEE janë kthyer të gjithë në gjendje pune. Aktualisht energjia është rikthyer në të gjitha zonat ku ka pasur ndërprerje.

Në Portin e Durrësit ka pasur një dëmtim të lehtë të magazinës 4-5 në Terminalin perëndimor, por pa rrezik përkeqësim të situatës.

MIE dhe strukturat e varësisë do të vijojnë jenë në gatishmëri gjatë gjithë natës së sotme për çdo nevojë të qytetarëve, të cilët mesazhet e tyre sinjalizuese kanë mundësi të na i përcjellin përmes numrit unik 112. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.